Nëse integrimi në BE do të ndodhë pa rritur cilësinë e ekonomisë dhe të vlerës së punës në Shqipëri, emigrimi do të përforcohet më shumë, siç lajmëroi Fondi Monetar e Ndërkombëtar në rishikimin e fundit të Marrëveshjes me Shqipërinë. Fondi vuri në dukje se Shqipëria ka përqindjen më të lartë të individëve në Rajon që deklarojnë se kanë gjasa të emigrojnë në dekadën e ardhshme ose që synojnë të largohen brenda 12 muajve.
Ky nivel i lartë i gatishmërisë për emigrim, krahasuar me vendet e tjera të Europës Qendrore dhe Lindore, sugjeron mungesë besimi në perspektivat ekonomike e sociale në vend, si dhe dobësi të tregut të punës për të ofruar mundësi cilësore e të qëndrueshme, referoi FMN-ja.
Në të kundërt duke rritur vlerën e punës, integrimi i vendit tonë në BE do të sillte rritje të fortë të prodhimit për frymë dhe ulje të papunësisë e për rrjedhojë do të zbuste valën e emigrimit, sugjeroi Fondi.
Të ardhurat për frymë në Shqipëri janë sa 34% e mesatares së BE-së, një hendek shumë i thellë.
Përveç hendekut në të ardhura, Shqipëria shfaq një prapambetje strukturore, që nuk lidhet vetëm me nivelin e investimeve, por edhe me efikasitetin e përdorimit të punës e kapitalit. Kjo tregon se rritja ekonomike ka qenë më tepër e bazuar në faktorë sasiorë se në përmirësim real të produktivitetit.
Sipas FMN-së, zhvillimet demografike në vend me emigrim të fortë te të rinjve dhe rënien të forcës së punës janë duke ndikuar negativisht perspektiven ekonomike.
Shqipëria ka përjetuar rënie të ndjeshme të popullsisë në moshë pune, çka reflekton tkurrjen demografike dhe emigracionin masiv. Në krahasim me të tjera vende të rajonit, rënia e popullsisë në Shqipëri është më e theksuar, duke sinjalizuar presion të vazhdueshëm mbi ofertën e punës e potencialin afatgjatë të rritjes ekonomike.
Shqipëria ka prodhim për orë pune, dukshëm më të ulët se mesatarja e BE-së dhe e vendeve të Ballkanit Perëndimor, ndërsa informaliteti mbetet i lartë. Edhe pse normat e punësimit e të pjesëmarrjes në forcën e punës janë përmirësuar vitet e fundit, nuk përkthehen në produktivitet të lartë. Përqindja e të rinjve as në punë dhe as në shkollë mbetet problematike. Kjo tregon se ekonomia po krijon vende pune, por jo vende pune me vlerë të shtuar të lartë.
Pagat më të larta në vendet e BE-së përbëjnë faktor të fortë tërheqës, duke qenë se Shqipëria renditet me nivelin më të ulët të tyre ndër vendet europiane. Hendeku më i madh i pagave vërehet te punonjësit me arsim të lartë, ku pagat janë mbi trefish më të larta në ekonomitë e avancuara të BE-së dhe bëhen shkak për rritje të emigrimit. Anketat tregojnë se mangësitë në qeverisje e në sundimin e ligjit, gjithashtu janë ndër nxitësit kryesorë të emigrimit, veçanërisht te punonjësit e kualifikuar.
Analizat e stafit të FMN tregojnë se një paketë gjithëpërfshirëse reformash që rrit produktivitetin është kyçe për përshpejtimin e rritjes ekonomike dhe zbutjen e efekteve negative të emigracionit. Ndërsa përpjekjet e qeverisë për rritjen e pagave përmes rritjeve të përsëritura të pagës minimale mund të ofrojnë lehtësim afatshkurtër, ato nuk janë të qëndrueshme pa rritje përkatëse të produktivitetit./Monitor