Në mars të këtij viti, Alysa Liu shkëlqeu në Kampionatin Botëror të Patinazhit Artistik të organizuar në Boston, duke fituar Medaljen e Artë dhe befasoi botën e sportit me rikthimin e jashtëzakonshëm. Por më i rëndësishëm se rezultati ishte transformimi që pësoi gjatë rrugës për rikthimin: nga përpjekja për perfeksion në fokusin te lumturia dhe mirëqenia personale.
Vetëm pak javë pas Lojërave Olimpike Dimërore të vitit 2022, Liu kishte njoftuar tërheqjen nga garat. Në moshën 16-vjeçare, ndjehej e lodhur dhe emocionalisht e shkëputur nga sporti që dikur e kishte dashur. Angazhimi intensiv, mungesa e pushimeve dhe frika për të humbur ritmin e përgatitjeve kishin çuar në lodhje të thellë e burnout. Ishte një periudhë ku stërvitja u kthye në barrë e jo në pasion.
Pas një pushimi 18-mujor, Liu u rikthye në pistën e akullit në fund të vitit 2023. Nuk ishte më e motivuar nga medaljet apo perfeksioni, por nga dëshira për të shijuar emocionin dhe lirinë që patinazhi mund të ofronte.
Ndryshe nga e kaluara, filloi të ndërtonte programet artistike duke zgjedhur muzikë që e frymëzonte vërtet. Edhe pamja e saj në performancë e tregonte këtë ndryshim: më shumë spontanitet, më pak formalitet.
Kjo qasje e re solli rezultate të jashtëzakonshme. Pas kualifikimit në Kampionatin Kombëtar Amerikan, Liu arriti të triumfonte edhe në arenën botërore. Por, përtej medaljes së artë, fitoi diçka më të qëndrueshme: lumturinë personale dhe një ekuilibër të shëndetshëm mes sportit e jetës.
Psikologët theksojnë gjithnjë e më shumë rëndësinë e qëllimeve të brendshme për mirëqenien afatgjatë.
Një meta-analizë e vitit 2022 nga Australian Catholic University vëren se individët, që përqendrohen te shëndeti, marrëdhëniet dhe kënaqësia personale kanë më shumë gjasa të jenë të lumtur, krahasuar me ata që ndjekin famën apo pasurinë. Ndërkohë, ekspertët theksojnë se njerëzit që jetojnë me një ndjesi kënaqësie ditore kanë më pak pendesa në fund të jetës.
Rasti i Alysa Liu është një dëshmi konkrete e kësaj filozofie. Ajo nuk u rikthye për të dëshmuar përsosmërinë, por për të përjetuar lirinë e zgjedhjes dhe gëzimin, që vjen kur ndjek pasionin sipas ritmit tënd. Performanca e saj jo vetëm që rrëmbeu titullin botëror, por tregoi se suksesi nuk është gjithmonë produkt i përpjekjes për të qenë perfekt.
Në një botë ku presioni për të arritur më shumë është i vazhdueshëm, historia e Liu-së kujton se lumturia dhe autenticiteti janë po aq të rëndësishëm sa çdo trofe. / shqip.al