Lumturia nuk vjen gjithmonë nga arritjet e mëdha. Shpesh, ajo gjendet në qoshet më të vogla të përditshmërisë. Në një filxhan çaji të ngrohtë në dritën e mëngjesit. Në një jastëk të butë në cep të divanit ku lexon librin tënd të preferuar. Në një qiri që ndizet në fund të ditës.
Koncepti i “këndit të mikroslumturisë” po bëhet gjithnjë e më i pranishëm në botën e dizajnit të brendshëm dhe të vetëkujdesit. Ai nuk ka të bëjë me luksi apo perfeksion, por me funksionin emocional të një hapësire të vogël që të përket vetëm ty. Është një qoshe ku të ndalesh, të marrësh frymë dhe të rikthehesh tek vetja.
Krijimi i një këndi të tillë nuk kërkon investim të madh, por vëmendje ndaj gjërave që të japin kënaqësi të vogla: ndriçim i butë, një batanije e ngrohtë, disa libra të grumbulluar në një raft të vogël, një fidan i freskët, ose një copë muzike në sfond. Në një botë që na kërkon të jemi gjithmonë në lëvizje, këto hapësira janë stacione rikuperimi, vende ku ndjesitë marrin prioritet mbi performancën. Ato janë kujtesa fizike se nuk kemi nevojë për shumë që të ndihemi të mirë.

Psikologët e mirëqenies gjithnjë e më shpesh nxisin krijimin e këtyre këndeve si pjesë të një rutine emocionale. Ato ndihmojnë në rregullimin e stresit, përforcojnë ndjesinë e sigurisë dhe rrisin praninë në momentin aktual. E bukura është se ky kënd është i jot. Mund ta ndryshosh sa herë të duash, ta çosh me vete kur ndryshon shtëpi, ose thjesht ta mbash si një vend të vogël në mendje që të rikthen në qetësi. Ndonjëherë, një jetë më e mirë fillon me një vend të vogël që të thotë:
Mirësevjen, jam këtu për ty.