Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka bërë një njoftim të rëndësishëm për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit të cilët po aplikojnë për të votuar në zgjedhjet e 11 majit.
Ai njoftoi se që nga data 11 Janar 2025, në Platformën PER, është aktivizuar Butoni ‘NDIHMË’, ku ndodhen videot, tutorialet dhe manualet ndihmuese për regjistrimin si votues nga jashtë.
Celibashi theksoi rëndësinë e shqyrtimit të këtyre materialeve përpara se aplikantët të bëjnë gabime në aplikimin e tyre, ndërsa publikoi edhe disa nga rastet ku qytetarët kanë bërë aplikime të gabuara. Platforma duket se është bërë edhe objekt ‘memesh’ virale. Këtë herë nuk mungojnë as tabakatë me xhezve dhe kafe ‘alla turka’, fotot familjare dhe selfie me telefon, adresa apo tabela rrugësh lagjeje, lokacione me Google dhe deri tek avllitë e banesave dhe stivat me dru!
Disa prej gabimeve të publikuara nga Celibashi tregojnë shqiptarë të diasporës që për të vërtetuar adresën kanë përzgjedhur foto të tyre personale apo foto të banesave, duke mos iu përmbajtur udhëzimeve zyrtare.
Ai theksoi se në Platformën PER, qytetarët mund të riaplikojnë pa limit deri më 4 Mars 2025.
LEXO EDHE: Ilirjan Celibashi: I kemi kërkuar Kuvendit të miratojë buxhetin për fushatën zgjedhore!
Postimi i Ilirjan Celibashit në Facebook dhe këshillat:
“Që nga data 11 Janar 2025 në Platformën PER, tek Butoni NDIHMË gjenden videot, tutorialet dhe manualet ndihmuese për regjistrimin si Votues Nga Jashtë. Lutemi aplikuesit t’i shohin me vëmendje para se të gabojnë me aplikimin e tyre si në fotot në vijim. Në PER mund të riaplikohet pa limit deri në 4 Mars 2025, ndaj KQZ Shqipëri sjell në vëmendje Butonin Ndihmë dhe Qendrën e Ndihmës Non-Stop të PER tek i njëjti buton. Shpërndajeni postimin për të informuar miqtë dhe të afërmit tuaj jashtë vendit”.