Aktualitet

FOTOLAJM/ Rama dhe Kurti shtrëngojnë duart gjatë homazheve për Nanon

Kryeministri Edi Rama dhe ai i Kosovës Albin Kurti, gjatë ceremonisë së nderimit të ish-kryeministrit Fatos Nano ditën e sotme në Pallatin e Kongreseve, kanë shtrënguar duart.

Ndërsa pas përfundimit të ceremonisë, dy liderët u panë duke lëvizur krah njëri-tjetrit në përcjelljen për në banesën e fundit të Nanos.

LEXO EDHE: Shqipëria në zi për vdekjen e Fatos Nanos, mbahen homazhet në Pallatin e Kongreseve!

Duket se dy liderët kanë lënë mënjanë përplasjet që kanë patur kohët e fundit.

Kryeministri Rama në fjalën e fundit të mbajtur për Fatos Nanon, thotë se kjo ishte një ndër detyrat më të vështira, për t’i dhënë lamtumirën atij që e birësoi në familjen socialiste.

Ikjen e Nanos nga kjo botë, Rama e cilëson si një rast i veçantë, pasi bëhet fjalë për një figurë politike që dha nga vetja pa kursim për Shqipërinë.

Nën tingujt e ‘My Way’ të Frank Sinatra, familjarë, miq, qytetarë, personalitete shtetërore, të komuniteteve fetare, trupit diplomatik, i kanë dhënë lamtumirën e fundit Fatos Nanos duke e përcjellë kortezhin me nderim dhe arkëmortin e vendosur mbi shtratin e një topi.

LEXO EDHE: “Sa të paskan dashur, Fatos…”, kryeministri Rama: Edhe ata që s’të lanë shkop ndër rrota pa të vënë…

Qindra qytetarë dhe figura të politikës hodhën karafila të bardhë, mbi arkivolin e liderit historik të PS.

“My Way”, ishte kënga e preferuar e Nanos, një këngë që flet për të jetuar jetën sipas kushteve të përcaktuara vetë, me krenari dhe autenticitet, duke parë pas në një jetë plot triumfe dhe dështime pa keqardhje. Teksti i këngës pasqyron forcën dhe vetëvendosjen, duke festuar një rrugë unike dhe duke përqafuar pasojat e zgjedhjeve tuaja.