Temperaturat e larta të ditëve të fundit po ndikojnë edhe në rritjen e rasteve me viroza, veçanërisht te fëmijët, duke sjellë një shtim të fluksit në urgjencat pediatrike.
Gastroenteritet, të shfaqura kryesisht me diarre, të vjella dhe temperaturë të lartë, janë ndër shqetësimet më të zakonshme të kësaj periudhe. Mjekët pediatër raportojnë një rritje të paraqitjeve, kryesisht te fëmijët e moshës 1 deri në 5 vjeç.
Urgjencat pediatrike dhe ato të infektivit po përballen me një ngarkesë më të lartë se zakonisht, ndërsa numri i vizitave në urgjencën pediatrike arrin deri në rreth 200 pacientë në ditë.
Fluksi është shtuar edhe në poliklinikat e lagjeve dhe qendrat shëndetësore verore, ku po paraqiten qytetarë që ndodhen në zonat turistike gjatë sezonit të pushimeve.
Mjekët u bëjnë thirrje prindërve të tregojnë kujdes të shtuar ndaj fëmijëve gjatë periudhës së temperaturave ekstreme. Ata rekomandojnë konsumimin e sa më shumë lëngjeve, shmangien e ekspozimit në diell gjatë orëve të pikut të vapës dhe ruajtjen e sigurt të ushqimeve, pasi temperaturat e larta favorizojnë prishjen e tyre dhe rritjen e rrezikut për infeksione gastrointestinale.
Specialistët këshillojnë që në rastet kur fëmijët shfaqin temperaturë të lartë të vazhdueshme, dehidratim, të vjella të shpeshta apo përkeqësim të gjendjes së përgjithshme, prindërit të kërkojnë menjëherë ndihmë mjekësore.