Bota

Franca drejt legalizimit të vdekjes së asistuar!

Parlamenti i Francës votoi në favor të projektligjit “për legalizimin e vdekjes së asistuar”, duke i hapur rrugën kujdestarëve të ndihmojnë pacientët t’i japin fund jetës. Deputetët e miratuan me 305 vota pro e 199 kundër. Gjithashtu mbështetën unanimisht një ligj më pak të diskutueshëm që përcakton të drejtën për kujdes paliativ në institucionet e specializuara, në fund të jetës.

Të dyja votimet janë fillimi i një procesi të gjatë parlamentar që do të kërkojë që projektligjet të kalojnë në Senat e më pas të kthehen në Asamblenë Kombëtare për një miratim të dytë, çka do të thotë se nuk ka gjasa të bëhen ligje para vitit të ardhshëm.

Ligjin mbi të drejtën për të vdekur, qeveria e ka përshkruar si “një përgjigje etike ndaj nevojës për të mbështetur të sëmurët dhe ata që vuajnë”, duke këmbëngulur se nuk ishte “as një e drejtë e re dhe as një liri… por një ekuilibër midis respektit dhe autonomisë personale”.

Legjislacioni do t’i lejonte një ekipi mjekësor të vendoste nëse një pacient është i kualifikuar për të “fituar qasje në një substancë vdekjeprurëse kur ata shprehin dëshirën”. Pacientët do të ishin në gjendje ta përdorin vetë ose t’u administrohet nga një infermiere apo mjek.

Pacientët duhet të plotësojnë një numër kushtesh të rrepta: të jenë mbi 18 vjeç, të kenë shtetësi ose leje qëndrimi franceze e të vuajnë nga një “sëmundje serioze dhe e pashërueshme, kërcënuese për jetën, e avancuar ose terminale” që është “e pakthyeshme”.

Sëmundja duhet të shkaktojë “vuajtje të vazhdueshme dhe të padurueshme fizike ose psikologjike” që nuk mund të trajtohet me trajtim mjekësor dhe pacienti duhet të jetë i aftë të “shprehë lirisht dhe në mënyrë të informuar” dëshirën e tij për t’i dhënë fund jetës.

Projektligji që në Francë quhet ligj mbi “fundin e jetës” ose “ndihmë në vdekje”, në vend të “vdekjes së asistuar” apo “eutanazisë”, u mbështet nga shumica e deputetëve të qendrës së presidentit Emmanuel Macron e aleatët e tyre, si dhe nga e majta, me shumicën e deputetëve të djathtë e të ekstremit të djathtë që votuan kundër.