Shqipëria dhe Kosova cilësohen si vende “pjesërisht të lira” në raportin më të fundit vjetor të organizatës Freedom House me seli në Uashington. Vendi ynë ka 69 pikë, i ndjekur nga Mali i Zi me 68 dhe Maqedonia e Veriut me 67 pikë. Shqipëria shënoi përparim me 1 pikë, krahasuar me raportin e vitit të kaluar.
Kosova shënoi përmirësim të vogël dhe ka 61 nga 100 pikë, 1 më shumë se një vit më parë. Në raportin e publikuar sot, thuhet:
Në Kosovë, gjykatat kanë nxjerrë vendime që dëshmojnë pavarësinë e tyre, megjithëse janë përballur me presion të madh politik. Kriza politike dhe institucionale që e goditi vitin e kaluar, kur pothuajse gjithë kohën u qeveris nga një qeveri në detyrë, ndikoi në përparimin e Kosovës në gjyqësor.
Për shembull, ligjvënësit e sapozgjedhur nuk arritën të formonin një qeveri për pjesën më të madhe të vitit, ndërsa qeveria në detyrë thuhet se e tejkaloi mandatin e saj teknik, duke çuar në zgjedhje të parakohshme. Kjo bllokadë i zbehu përparimet e Kosovës në pavarësinë gjyqësore dhe sigurinë fizike, thuhet në raport.
Në dokumentin paraprak, kur Kosova kishte 60 pikë, vendi vlerësohej me “shumë institucione publike të minuara nga korrupsioni, se gazetarët përballeshin me frikësim dhe se sundimi i ligjit pengohej nga ndërhyrjet e mosfunksionimi në sistemin gjyqësor”.
Raporti Liria në Botë përfshin vlerësime dhe raportime për vendet mbi të drejtat politike e liritë qytetare në 195 shtete e 13 territore në mbarë botën. Raporti i këtij viti mbulon zhvillimet nga 1 janari 2025 deri më 31 dhjetor 2025.
Puçet ushtarake, dhuna kundër protestuesve paqësorë dhe përpjekjet për të dobësuar garancitë kushtetuese gjatë 2025-ës, bënë që ky të ishte viti i 20-të radhazi i rënies së lirisë globale, sipas raportit nga Freedom House.
Dokumenti zbuloi se 54 vende përjetuan përkeqësim të të drejtave politike dhe lirive qytetare, ndërsa vetëm 35 shënuan përmirësime.
Sot, vetëm 21% e popullsisë së botës jeton në vende të vlerësuara si “të lira”, një rënie nga 46% që ishte para dy dekadash.
Guinea-Bissau, Tanzania, Burkina Faso, Madagaskari dhe El Salvadori shënuan rëniet më të mëdha të pikëve brenda një viti, ndërsa Siria, Sri Lanka, Bolivia dhe Gaboni, përmirësimet më të ndjeshme. Bolivia, Fixhi dhe Malaui u përmirësuan nga statusi “pjesërisht të lira” në “të lira”, falë zgjedhjeve konkurruese, rritjes së pavarësisë së gjyqësorit dhe forcimit të sundimit të ligjit.