Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore e Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka paralajmëruar se situata në Lindjen e Mesme ka hyrë në një “fazë të rrezikshme”, pas sulmeve të fundit ndaj objekteve bërthamore në Iran dhe Izrael.
Sipas tij, të shtunën në mbrëmje, raketa që dyshohet se kishin në shënjestër qendrën izraelite të kërkimit bërthamor në Dimona goditën zonat përreth, përfshirë qytetet Dimona dhe Arad, duke rritur shqetësimet për sigurinë në rajon.
Ndërkohë, Irani ka deklaruar se sulmi ishte një akt hakmarrjeje për një goditje të mëparshme ndaj centralit të tij bërthamor në Natanz, një objekt kyç që strehon centrifuga nëntokësore për pasurimin e uraniumit dhe që ishte dëmtuar më herët gjatë përleshjeve në qershor 2025.
LEXO EDHE: OBSH: Sulmi me dron në një spital në Sudan vrau 64 persona gjatë festës së Bajramit!
Shefi i OBSH theksoi se çdo përshkallëzim që përfshin objekte bërthamore përbën rrezik serioz për shëndetin publik dhe mjedisin, duke kërkuar përmbajtje dhe ulje të menjëhershme të tensioneve.
SHBA-të dhe Izraeli pretendojnë se sulmet e tyre synojnë shkatërrimin e programit të pasurimit të uraniumit të Republikës Islamike, të cilin Teherani e konsideron paqësor.
Drejtoresha Rajonale e OBSH-së për Mesdheun Lindor, Hanan Balkhy, thuhet se paralajmëroi se “skenari më i keq” mund të përfshijë një sulm ndaj një objekti bërthamor në Iran ose përdorimin e armëve bërthamore nga një prej palëve ndërluftuese, sipas Politico. Asnjë sasi përgatitjeje nuk mund ta mbrojë rajonin nga pasojat që mund të “zgjatin për dekada”, paralajmëroi ajo.
Që nga fillimi i fushatës ushtarake SHBA-Izrael kundër Iranit më 28 shkurt, centralet bërthamore në të gjithë vendin janë sulmuar. Deri më sot nuk është raportuar ndotje radioaktive në rajon.