Aktualitet

Gërdeci, Mediu: Pretendimi i prokurorisë i pabazë!

Në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, GJKKO, sot u zhvillua seanca e radhës për dosjen “Gërdeci”.

Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i pandehur në këtë dosje, paraqiti para Gjykatës së Posaçme kundërshtitë e tij mbi përgjigjet e ekspertëve për akt-ekspertimin tekniko ushtarak.

Sipas urdhrave të Shtabit të Përgjithshëm, del qartë që shpenzimet për transportin e municioneve nuk kanë qenë pjesë e kompetencave të ministrit të Mbrojtjes, tha Mediu në gjykatë.

Mediu ka cituar ligjin për buxhetin, që fondet e donatorëve për demontim i konsideron si pjesë të buxhetit të Ministrisë se Mbrojtjes.

Në çdo rast tjetër transporti është bërë nga Forcat e Armatosura, tha ai.

Ndërkohë në dalje nga gjykata, për mediat u shpreh se pretendimi i prokurorisë është i pabazë.

I pabazë është gjithë pretendimi i prokurorisë që ka thënë dhe vetë që nuk dimë çfarë janë kalibrat, por bazohet pastaj në një analizë në dëshirën e shtuar të ekspertëve për të shtuar çfarë thonë librat rusë. Nuk kam qenë ministër i Traktatit të Varshavës, jam përpjekur për Shqipërinë që të bëhet vend anëtar i NATO-s.

Seanca e radhës për dosjen “Gërdeci” do të zhvillohet në datën 22 prill, në orën 11:00.