Në podastin “Flasim”, sot kryeministri Edi Rama komentoi zhvillimet e fundit në garën elektorale për zgjedhjet e parakohshme vendore, duke vënë në dukje si risi, kandidimin e dy grave për drejtimin e bashkive të Tiranës e Vlorës. Sipas tij, Ogerta Manastirliu dhe Bruna Mersini do të jenë fituese të padiskutueshme për të dyja bashkitë.
Eshtë një risi absolute e zgjedhjeve të parakohshme vendore kandidimi i dy grave për Tiranën dhe Vlorën, dy qytete të dorës së parë për Shqipërinë, që do të drejtohen nga dy gra, të cilat kanë një karrierë shumë të ngjashme, në një periudhë të caktuar kur respektivisht kanë drejtuar rilindjen e Qendrës Spitalore Universitare e të Spitalit Rajonal të Vlorës.
Dy realitete të transformuara tërësisht, falë kapacitetit të tyre menaxherial dhe sidomos vullnetit të tyre të hekurt. Të dyja janë fituese të padiskutueshme të garave, ku kundërshtarët përfaqësojnë shembëlltyrën më kuptimplotë të humbjes së radhës, të ndjesë pastë Partisë Demokratike.
Ndër të tjera, kryeministri Rama u ndal te kandidati i opozitës që për Tiranën ka mbështetur të pavarurin Florjan Binaj, duke e cilësuar si një përpjekje të dëshpëruar përmes një figure publike nga fusha e humorit.
Këneta është kaq e dëshpëruar, sa për Tiranën ka nxjerrë një aktor humori në rolin e një kandidati gjoja të pavarur, që për vite të tëra i ka bërë për të qeshur të gjithë, madje edhe vetë Kongresin e Partisë Socialiste, ku ka ardhur njëherë për të luajtur rolin tim. Prandaj, nuk e gjykoj fare keq aktorin për rolin e ri që ka marrë, se aktorët këtë punë kanë, me role jetojnë.
Por kush voton mua dhe Partinë Socialiste do të votojë Ogertën, që t’i japë Tiranës drejtuesen e duhur dhe qeverisë partneren e duhur në krye të bashkisë, për të vazhduar punën transformuese për kryeqytetin e “Shqipërisë 2030”.
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj dekretoi datën 9 nëntor për zgjedhjet në kryeqytet e në bashkitë Vlorë, Tepelenë, Berat, Cërrik e Mat. Por, në Tiranë u pezulluan nga Gjykata Kushtetuese, pas ankimimit që bëri në Gjykatën Kushtetuese, Erion Veliaj, në qeli prej 10 shkurtit 2025 dhe i shkarkuar pak javë më parë nga posti i kryebashkiakut.