Udhëtim me votën e shqiptarëve në zgjedhje. Top Albania Radio vjen me një maratonë informative dhe analitike me raportime nga terreni dhe opinionistë për të sjellë në kohë reale gjithçka do ndodhë ditën e zgjedhjeve më 11 Maj dhe ditët në vijim deri në daljen e rezultatit të plotë.
Top Albania Radio ju sjell një maratonë zgjedhore me raportime të gazetarëve të Top Media nga çdo cep i Shqipërisë – shoqëruar me analiza në studio, intervista me protagonistët dhe rezultatet e çdo qyteti.
Në një lidhje telefonike për “Live From Tirana” me Edi Hallaçin, ka qenë gazetarja e Top Channel, Geriola Hate, nga Parku Olimpik, ku po numërohen votat e Diasporës. Si po shkon procesi deri më tani dhe çfarë problematikash janë hasur?
Ka pasur tensione mes palëve poltike gjatë ditëve të fundit dhe pritet, duke parë edhe trendin në të gjithë Shqipërinë, Partia Demokratike të bëjë një hap pas nga kërkesa për sa i takon votave të Greqisë dhe ato të vijojnë t’i nënshtrohen procesit të numërimit njejtë si të gjitha votat e tjera. Më herët është kërkuar që t’i vendoset në dispozicion praktika e ndjekur nga operatori i shërbimit postar DHL i kontraktuar nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, për të parë nëse ka pasur nënkontraktorë të përfshirë në Greqi, nëse ka pasur shkelje ligjore në mënyrën se si është administruar dhe si ka ardhur kjo votë në territorin shqiptar. Megjithatë, pritet që Partia Demokratike të shohë trendin në të gjithë Shqipërinë dhe nëse votat e Greqisë nuk bëjnë ndonjë diferencë të konsiderueshme, ndoshta mund të kemi një sprapje nga kjo kërkesë.