Mediat spanjolle raportojnë se Gerard Piqué dhe Clara Chia Marti i kanë dhënë fund lidhjes së tyre pas gati tre vitesh së bashku. Lajmi është bërë i ditur ekskluzivisht nga programi televiziv “Vamos a ver”, ku gazetari Adriano Dorronsoro, bashkëpunëtor i kanalit “Telecinco”, ka cituar burime të afërta me çiftin që konfirmojnë ndarjen.
Sipas raportimeve të para, shkaku i mundshëm i ndarjes mund të lidhet me një tradhti, edhe pse detajet mbeten të paqarta dhe asnjëra palë nuk ka bërë ende një deklaratë zyrtare.
Marrëdhënia mes ish-futbollistit të Barcelonës dhe Clara Chias ka qenë shpesh në qendër të vëmendjes mediatike, për shkak të intensitetit të saj dhe polemikave që e kanë shoqëruar që në fillimet e saj.
Thashethemet për një krisje nisën rreth një muaj më parë, kur Piqué u fotografua në një sallon akulloresh në Miami, i shoqëruar nga një grua flokëkuqe. Imazhet, të publikuara nga “En Casa con Telemundo”, e tregojnë ish-yllin e futbollit duke shijuar një akullore me të panjohurën.
Edhe pse nuk shfaqen në një qëndrim të afërt romantik, prania e tij me një tjetër grua ndezi spekulimet për një ndarje.
Ndërkohë, më 31 mars, Clara Chia u pa vetëm në aeroportin e Barcelonës, duke u kthyer nga një udhëtim pune në Francë.
Ajo u shfaq e qetë dhe e buzëqeshur, por pa praninë e Piqués, gjë që shtoi edhe më shumë dyshimet për një largim mes tyre.
Për momentin, as Piqué dhe as Clara nuk kanë reaguar publikisht për ndarjen, ndërsa fansat presin një konfirmim zyrtar ose deklaratë nga dyshja.