Lifestyle

Gëzuar ditëlindjen Ken! I fejuari i Barbie-t mbush 65 vjeç!

Ken është më shumë se thjesht i dashuri apo i fejuari i Barbie-t, por një ikonë globale kulturore dhe stili. Këtë vit, feston ditëlindjen e 65-të duke shënuar fillime të reja, siç zbulon kompania Mattel, me 65 përvoja të reja. Pasi përjetoi një rilindje të vërtetë, ky personazh po forcon rolin e tij si simbol i miqësisë e vetëzbulimit.

Më shumë se thjesht i dashuri i Barbie-t: Evolucioni i Ken-it

Për dekada, Ken ka qenë sinonim i sharmit të jetës në Malibu dhe po ashtu krenohet me një listë të gjatë pasionesh:

Ken ka qenë pilot, mjek, marinar, patinator, kauboj, roje plazhi, yll roku e shumë më tepër. Si një simbol i kreativitetit dhe vetëshprehjes, tani po zgjeron ndikimin kulturor, si një përcaktues trendesh dhe talent shumë i kërkuar, duke sjellë një epokë të re që shtrihet përtej rreshtit të lodrave, mbushur me mundësi për bashkëpunime e aventura.

Që nga debutimi i tij në vitin 1961, Ken ka dëshmuar aftësinë për të fituar zemrat, duke i qëndruar gjithmonë besnik personalitetit argëtues e plot gjallëri, tregoi Nathan Baynard, drejtues global i markës Barbie, Mattel.

Emri i plotë i Ken-it është Kenneth Sean Carson, sipas djalit të themeluesve të Mattel, Ruth dhe Elliot Handler. U prezantua në Willows, Wisconsin, më 11 mars 1961, pra Peshqit. Kjo mund të konsiderohet dhe një datë e saktë lindjeje.

Saktësisht është dy vjet e dy ditë më i ri se Barbie.

Kukulla e parë Ken u shit për 3.50 dollarë. Kishte flokë të verdhë ose kafe, mbante veshur një kostum banje të kuq, sandale e kishte një peshqir të verdhë.

Me Barbie-n u takuan në sheshxhirimin e reklamës së tyre të parë televizive në vitin 1961. Kur i dhanë fund lidhjes së tyre në vitin 2004, lajmi i ndarjes u përhap në të gjithë botën. Por, u ribashkuan në vitin 2011. Sot, janë miqtë më të mirë.

Ken është 35 cm i gjatë, 0.5 cm më i gjatë se Barbie.

Ai debutoi në film në vitin 1987 në filmin “Barbie and the Rockers: Out of This World” si basist grupi muzikor. Që atëherë, ka luajtur një sërë rolesh, duke përfshirë një princ, një gazetar, një praktikant të biologjisë detare e një agjent sekret.

Një ikonë stili, Ken frymëzoi Jean Paul Gaultier dhe Gareth Pugh e madje veshi një kostum të personalizuar Moschino, identik me atë që Jeremy Scott kishte në MTV Music Awards 2015.