Në Bosnjë-Hercegovinë sot nisi Marshi i përvitshëm i Paqes, në kujtim të viktimave të gjenocidit në Srebrenicë. Gjatë tri ditëve të ardhshme, mijëra pjesëmarrës pritet të përshkojnë rrugën që mijëra qytetarë të Srebrenicës kaluan në verën e vitit 1995, në përpjekje për të shpëtuar nga forcat serbe.
Pas një rrugëtimi prej rreth 110 kilometrash, që nisi nga fshati Nezuk pranë Tuzllës, ata do të arrijnë në Qendrën Përkujtimore Potoçari, ku më 11 korrik shënohet 30-vjetori i masakrës. Nga e premtja e kësaj jave, atje do të prehen mbetjet e shtatë viktimave të masakrës dhe që u gjetën gjatë vitit të kaluar.
Më 11 korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës hynë në Srebrenicë, në zonën që ishte shpallur e sigurt nga Kombet e Bashkuara. Në ditët që pasuan, vranë mbi 8 mijë burra dhe djem myslimanë e trupat e tyre i hodhën në gropa në pyjet përreth. Krimi u njoh nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës si gjenocid dhe është masakra më e rëndë në Europë pas Luftës së Dytë Botërore.
Në tri dekadat e fundit, më shumë se 50 persona u dënuan me rreth 780 vjet burg për gjenocid dhe krime të tjera në Srebrenicë. Në mesin e të dënuarve me burgim të përjetshëm janë presidenti i kohës së luftës i Republikës Sërpska dhe komandanti i ushtrisë së atij entiteti, Radovan Karaxhiç e Ratko Mlladiç.
Marshi i Paqes mbahet që nga viti 2005 dhe çdo vit numri i pjesëmarrësve vijon të rritet. Qëllimi i këtij organizimi është që të ruajë gjallë kujtimin për viktimat e gjenocidit në Srebrenicë.