Shitjet e makinave elektrike po rriten ndjeshëm në Gjermani, por një segment i rëndësishëm i tregut ende nuk po tregon interes të madh. Numri i automjeteve elektrike të pasagjerëve të regjistruara rishtazi në Gjermani gjatë prillit ka shënuar rritje të jashtëzakonshme, janë regjistruar 45.535 automjete elektrike, që përbën një rritje prej mbi 50% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Megjithatë, përkundër statistikave pozitive, një studim i ri tregon se zakonet e blerësve privatë nuk po ndryshojnë.
Shumica dërrmuese e pronarëve të automjeteve private në Gjermani vazhdojnë të shmangin automjetet elektrike kur blejnë një makinë të re. Sipas barometrit të fundit HUK E, i cili bazohet në të dhëna për 14 milionë automjete të siguruara, vetëm 3 për qind e automjeteve të individëve janë elektrike. Gjatë tremujorit të parë të vitit 2025, vetëm 4 për qind e individëve kanë kaluar nga makina me benzinë apo naftë në makinë elektrike, një përqindje identike me atë të vitit të kaluar. Pra, nuk ka ndryshim.
Këto shifra bien ndesh me të dhënat zyrtare të Autoritetit Federal për Trafikun Rrugor, sipas të cilave, në prill 2025, pjesa e makinave elektrike në regjistrimet e reja ishte 18,8 për qind. Kjo mospërputhje shpjegohet me faktin se shumicën e makinave elektrike të reja i blejnë personat juridikë, pra kompanitë të cilat përbëjnë rreth dy të tretat e të gjitha regjistrimeve të reja. Politikat e shumë bizneseve përfshijnë kalimin në makina elektrike për flotat e tyre të shërbimit dhe komerciale. Ka një rritje të lehtë edhe të interesimit për automjetet elektrike të përdorura, veçanërisht që kur shteti hoqi subvencionet për blerjen e automjeteve të reja elektrike në fund të vitit 2023.