Tech Top Tech - News

Gjithçka që duhet të dini për iPhone Air! Mateo Kadriu prezanton çdo risi…

Në çdo episod të “Top Tech” me Mateo Kadriun zbulojmë të rejat më të fundit nga bota e madhe e teknologjisë. Me informacione dhe gjithçka të detajuar rreth risive dhe mundësive që po na ofrohen çdo ditë sidomos nga Inteligjenca Artificiale me avancimin e projekteve nga më të ndryshme.

iPhone Air

Në eventin më të fundit nga Apple, u prezantua një model iPhone-i që nuk ka ekzistuar kurrë më parë: iPhone Air. Jo, nuk është laptop, nuk është iPad – është një iPhone aq i hollë dhe i lehtë sa ndoshta mund ta humbësh mes fletëve të një libri.

Me vetëm 5.6 mm trashësi dhe kornizë prej titani, ky është telefoni më i hollë që ka prodhuar ndonjëherë Apple. Dhe megjithatë, është më i fortë se të gjithë iPhone-t para tij. Praktikisht: si të bësh dietë ekstreme, por të shtosh muskuj në të njëjtën kohë.

Ekrani 6.5 inç Super Retina XDR shkon deri në 3000 nits ndriçim.

Brenda ka të njëjtin chip A19 Pro, njësoj si tek iPhone 17 Pro, bashkë me modemin e ri C1X dhe çipin N1 për Wi-Fi 7. Bateria?  – Apple thotë all-day battery life, që përkthehet: ‘gjithë ditën në Instagram pa e prekur karikuesin’.

Kamerat? Vetëm një 48MP Fusion që sillet si 2 lente në një, dhe kamera e re selfie 18MP Center Stage, që të bën gjithmonë protagonist. Nëse nuk të fusin shokët në kornizë, futesh vetë me AI.

Dhe për ngjyrat – ‘space black’, ‘cloud white’, ‘light gold’ dhe ‘sky blue’. Pra, ky iPhone i ka të gjitha, shumë i lehtë, i fortë dhe i bukur.  I vetmi detaj që nuk është dhe aq i hollë, është çmimi – fillon nga 999 dollarë.

Për pak harrova t’ju them një detaj shumë të rëndësishëm , iPhone Air vjen vetëm me eSim.

Pra, ky është iPhone Air: një model krejt i ri që duket sikur erdhi nga e ardhmja. I hollë, i lehtë dhe super futuristik.