Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar pasi u la në qeli nga GJKKO. Meta e quan drejtësi me regji., ndërsa shkruan se akuzat formulohen nga tribunat e “Rilindjes”
“Asnjë çudi nga drejtësia me regji ku SPAK përgjon gjykatat dhe ku afërmendsh akuzat formulohen nga tribunat e “Rilindjes”. Ne do ta çmontojmë këtë farsë hap pas hapi dhe do ta shpartallojmë në Gjykatën e Strasburgut por edhe në debatin publik.
Ndaj ndiqni sot në ora 17:30 argumentet e mia kryesore kundër pretendimeve qesharake të akuzës, nga Sekretari i Përgjithshëm, z.Tedi Blushi.
Nesër në ora 11:00 përmes telefonit të z.Blushi i ftoj të gjithë gazetarët të më adresojnë pyetjet e tyre për të zhvilluar së bashku një konferencë për mediat live. Nuk ka fuqi që i mbyt të vërtetat e Ilir Metës dhe kauzat e Partisë së Lirisë”, shkruan Meta.
Gjykata e Posaçme nuk ndryshoi masën “arrest në burg” për Ilir Metën. Avokati i tij Kujtim Cakrani tha se Meta kundërshtoi provat e reja të SPAK, përmes nje debati me prokurorin Sotir Kllapi. Për kartën e kreditit që SPAK akuzon se u përdorën për blerje tha se Meta nuk ka asnjë lidhje, por se ato i ka përdorur ish-gruaja Monika Kryemadhi.
“Meta s’ka përdor kur karta në jetë e tij, s’ka asnjë lloj dijenie se çfarë ka ndodhur me zonjën Kryemadhi. Secili në një vend demokratik mban përgjegjësi për veten e vet, kështu an ka mësuar edhe kryeministri në daljen tij. Askush sot nuk e di se përse duhet të qëndrojë Meta në arrest me burg. Hetimet nuk kanë përfunduar, ne po presim se ca do bëjë SPAK. Janë të paktën 3-4 që kanë dhënë dëshmi të rremë para BKH”, tha avokati.