Aktualitet

GJKKO-ja lë të pandryshuar masën e sigurisë për Dorian Beun!

Gjykata e Posaçme, GJKKO la të pandryshuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për Dorian Beun, i arrestuar në malin e Tomorit. Beu akuzohet për “Prodhim e shitje të narkotikëve” e “Grup të strukturuar kriminal”. Masa në mungesë ndaj tij ishte caktuar në mars 2023.

Përmes avokatit Andi Hasanaj, Beu kërkoi masë më të butë duke pretenduar se për të njëjtin fakt penal po procedohej nga autoritetet italiane. Në vendin fqinj u arrestua në tetor 2023 dhe ndaj tij është caktuar masa “Arrest në shtëpi”, ndërsa nga dhjetori 2023, drejtësia italiane ka vendosur që hetimi të vijojë në gjendje të lirë.

Hetimi ndaj Beut dhe personave të tjerë të dyshuar si anëtarë të grupit kriminal është bërë nga një skuadër e përbashkët shqiptaro-italiane.

Njoftimi policor: 

Operacione të njëpasnjëshme nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSh, për kapjen e shtetasve në kërkim. Finalizohet operacioni policor i koduar “Operacionalja 60”.

Lokalizohet në Malin e Tomorrit, kapet dhe vihet në pranga një i kërkuar, me masë sigurie “Arrest në burg”, caktuar nga GJKKO-ja.

Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, strukturat e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSh, në bashkëpunim me DVP Durrës, finalizuan operacionin policor të koduar “Operacionalja 60”.

Bazuar në informacionet e siguruara se në Malin e Tomorrit po qarkullonte me automjet, një shtetas i kërkuar për vepra penale në fushën e narkotikëve, të kryera në formën e organizatës kriminale, shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale lokalizuan, kapën dhe ndaluan shtetasin D.B., 46 vjeç, lindur dhe banues në Durrës.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë, në vitin 2023, i ka caktuar masën e sigurisë  “Arrest në burg”, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave kriminale nga grupi i strukturuar kriminal”.

Nga ana e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës u bë ekzekutimi i masës së sigurisë “Arrest në burg”, dhe materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë, për hetime të mëtejshme.