Gjykata e Posaçme rrëzoi kërkesën e avokatit të ish-kryeministrit, Sali Berisha dhe dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi për përjashtimin e treshes gjykuese të dosjes “Partizani”. Kërkesa u shqyrtua nga gjyqtari Erjon Çela, i cili vlerësoi se kërkesa pretenduese nuk bazohej në ligj dhe provë.
Mbrojtësit e Berishës e Malltezit kërkuan përjashtimin e anëtarëve Elsa Ulliri, Bib Ndreca dhe Rudina Palloj me pretendimin se nuk garantojnë pavarësi dhe paanshmëri duke qenë se monitorohen, përgjohen e mbikëqyren nga SPAK-u.
Seanca e radhës për dosjen Partizani është caktuar te zhvillohet më 15 shtator. Kjo u vendos një javë më parë, në seancën e 21 korrikut kur gjithashtu, avokati i Berishës, Genc Gjokutaj kërkoi përjashtimin e treshes gjykuese.
Sipas tij, gjyqtarët nuk ofrojnë gjykim të paanshëm, pasi “janë nën vëzhgimin e SPAK-ut e të BKH-së”. Avokatët e Berishës, i cili është me masën e sigurisë “Detyrim për paraqitje” kërkuan që shqyrtimi të mos bëhet nga gjyqtarë të posaçëm.
Gjyqtarët e GJKKO-së janë të monitoruar dhe vëzhguar nga SPAK-u e BKH-ja. Kjo mbikëqyrje e gjykatës nga një palë në proces, shkel parimin e një gjykate të pavarur.
Zv.kryetari i GJKKO-së vendosi të mos pranojë dorëheqjen e gjyqtares Elsa Ulliri nga çështja “Partizani”, ku ka filluar gjykimi në themel. Kujtojmë se Ulliri e kërkoi dorëheqjen me motivacionin se ishte në kushtet e papajtushmërisë, pasi ka kushërirë një deputete aktuale të Partisë Demokratike.
Pas vendimit të shtyrjes së seancës në GJKKO, për mediat foli Jamarbër Malltezi:
Sipas ligjit që kanë kaluar me dëshirën e tyre kanë bërë që gjyqtarët të jenë nën varësinë e prokurorëve. Pra, gjyqtarët të përgjohen, edhe posta elektronike dhe komunikimet. E jo vetëm gjyqtarët, por edhe familjarët e tyre. Për këtë arsye kjo nuk është më një gjykatë e pavarur sipas ligjit.
Normalisht kur njëra palë i bën presion palës tjetër, pra e kërcënon me përgjime të familjarëve, për çdo lloj gjëje e jo vetëm korrupsion. Të kemi parasysh që kjo prokurori është në kushtet ku palët nuk janë të barabarta pasi kjo prokuroi ushtron presion të paligjshëm.
Duhet të kemi parasysh që ne jemi në një situatë që e gjithë çështja është nul. I ka të gjithë vendimet e fazës hetimore, i ka akte absolutisht të pavlefshme sepse kemi të bëjmë me akte të Irena Gjokës, e cila është dy herë e dëbuar nga Greqia, një herë e dënuar.
Sipas ligjit, kjo nuk përmbushte kushtet për të qenë magjistrate. Duke mos plotësuar kushtet, çdo vendim i saj, pra për pasojë e gjithë faza hetimore e saj është nul. Janë akte absolutisht të pavlefshme.