Dosja “Partizani”, shtyhet për më 15 shtator seanca ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi e tre të pandehurve të tjerë në Gjykatën e Posaçme, GJKKO. Mësohet se në gjykimin e dosjes “Partizani”, avokati i Berishës, Genc Gjokutaj kërkoi përjashtimin e treshes gjykuese.
Sipas tij, gjyqtarët nuk ofrojnë gjykim të paanshëm, pasi “janë nën vëzhgimin e SPAK-ut e të BKH-së”. Avokatët e Berishës, i cili është me masën e sigurisë “Detyrim për paraqitje” kërkuan që shqyrtimi të mos bëhet nga gjyqtarë të posaçëm.
Gjyqtarët e GJKKO-së janë të monitoruar dhe vëzhguar nga SPAK-u e BKH-ja. Kjo mbikëqyrje e gjykatës nga një palë në proces, shkel parimin e një gjykate të pavarur.
Zv.kryetari i GJKKO-së ka vendosur të mos pranojë dorëheqjen e gjyqtares Elsa Ulliri nga çështja “Partizani”, ku ka filluar gjykimi në themel. Kujtojmë se Ulliri e kërkoi dorëheqjen me motivacionin se ishte në kushtet e papajtushmërisë, pasi ka kushërirë një deputete aktuale të Partisë Demokratike.
Pas vendimit të shtyrjes së seancës në GJKKO, për mediat foli Jamarbër Malltezi:
Sipas ligjit që kanë kaluar me dëshirën e tyre kanë bërë që gjyqtarët të jenë nën varësinë e prokurorëve. Pra, gjyqtarët të përgjohen, edhe posta elektronike dhe komunikimet. E jo vetëm gjyqtarët, por edhe familjarët e tyre. Për këtë arsye kjo nuk është më një gjykatë e pavarur sipas ligjit.
Normalisht kur njëra palë i bën presion palës tjetër, pra e kërcënon me përgjime të familjarëve, për çdo lloj gjëje e jo vetëm korrupsion. Të kemi parasysh që kjo prokurori është në kushtet ku palët nuk janë të barabarta pasi kjo prokuroi ushtron presion të paligjshëm.
Duhet të kemi parasysh që ne jemi në një situatë që e gjithë çështja është nul. I ka të gjithë vendimet e fazës hetimore, i ka akte absolutisht të pavlefshme sepse kemi të bëjmë me akte të Irena Gjokës, e cila është dy herë e dëbuar nga Greqia, një herë e dënuar.
Sipas ligjit, kjo nuk përmbushte kushtet për të qenë magjistrate. Duke mos plotësuar kushtet, çdo vendim i saj, pra për pasojë e gjithë faza hetimore e saj është nul. Janë akte absolutisht të pavlefshme.