Një gjykatës federal në SHBA ka bërë publike një letër të dyshuar të vetëvrasjes të Jeffrey Epstein, dokument që deri më tani ishte mbajtur i fshehtë nga publiku. Letra, e paverifikuar dhe pa datë, u publikua në dosjen gjyqësore të ish-shokut të qelisë së Epstein, Nicholas Tartaglione, i cili pretendon se e kishte gjetur atë pas tentativës së parë për vetëvrasje të Epstein në korrik të vitit 2019.

Në letër shkruhet: “Më hetuan për muaj të tërë, nuk gjetën ASGJË!!!” dhe më tej: “Është privilegj të zgjedhësh kohën për të thënë lamtumirë. Pa argëtim, nuk ia vlen”. Epstein u gjet i vdekur në qelinë e tij në Manhattan disa javë më vonë, ndërsa priste gjyqin për akuza të trafikut seksual. Mjekësia ligjore e cilësoi vdekjen si vetëvrasje. Sipas raportimeve të The New York Times, letra ishte mbajtur e fshehtë për gati shtatë vite. Departamenti Amerikan i Drejtësisë deklaroi se nuk mund të konfirmojë autenticitetin e dokumentit, por nuk kundërshtoi publikimin e tij. Tartaglione pretendon se ai i dha ndihmën e parë Epstein pas tentativës së parë për vetëvrasje dhe se ekspertë të shkrimit të dorës kanë verifikuar letrën.
Ndërkaq, prej dy javësh, nuk ka asnjë shenjë të Elisabetta Ferretti-t. Edhe telefonatat e përditshme nga Nju Jorku, ku ndërtoi jetën, drejtuar prindërve të saj në Veneto, janë ndalur. Heshtja ka alarmuar familjen që raportoi zhdukjen e 50 vjeçares në prokurorinë e Rovigos, në Itali. Çështja është në duart e Ministrisë së Punëve të Jashtme italiane, që thuhet se ka kontaktuar autoritetet amerikane. Por, ende nuk asnjë shenjë të ish-modeles e sipërmarrëses së pasurive të paluajtshme, e cila ishte midis grave që patën guximin të denonconin publikisht abuzimin e financierit pedofil, Jeffrey Epstein.