Aktualitet

Goditje Call Center-it mashtrues në Tiranë, një e re në pranga!

Policia e Tiranës finalizoi operacionin e koduar “Adapted”, duke goditur një call center të dyshuar për mashtrime financiare ndaj shtetasve të huaj. Në pranga ra Melisa Saraçi, 25 vjeçe, e identifikuar si administratore e aktivitetit të paligjshëm.

Hetimet zbuluan se në rrugën “Tish Daija” kishte përshtatur një apartament si call center, ku qytetarë të huaj mashtroheshin për të investuar në bursa fiktive.

Gjatë aksionit, policia sekuestroi 13 njësi kompjuterike, dy laptopë, pesë celularë dhe të tjera prova materiale që do të shërbejnë për dokumentimin e veprimtarisë kriminale.

Sipas njoftimit zyrtar, operacioni u organizua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Kibernetike në DPPSH.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.

Policia e Shtetit theksoi se do të vijojë aksionet kundër call center-ave të paligjshëm, që shpesh përdoren për mashtrime ndërkombëtare, duke dëmtuar imazhin e vendit e rrezikuar sigurinë financiare të qytetarëve të huaj.