Tech Top Tech - News

Google ka bërë një lëvizje që askush s’e priste, Airdrop tani edhe në Android!

Në çdo episod të “Top Tech” me Mateo Kadriun zbulojmë të rejat më të fundit nga bota e madhe e teknologjisë. Me informacione dhe gjithçka të detajuar rreth risive dhe mundësive që po na ofrohen çdo ditë sidomos nga Inteligjenca Artificiale me avancimin e projekteve nga më të ndryshme.

Më në fiund, Airdrop në ANDROID. Kaq ka mjaftuar që interneti të shpërthejë, dhe me të drejtë. Se për vite me radhë kemi dëgjuar atë pyetjen e famshme “po s’ka ndonjë mënyrë ta hedhësh shpejt foton në Android?” dhe përgjigjja ka qenë gjithmonë një kombinim i sikletshëm mes “prit sa ta ngarkoj” dhe “ta dërgoj në WhatsApp po humbet cilësinë”. Tani loja ndryshon.

Google ka bërë një lëvizje që askush s’e priste kaq shpejt: Quick Share tani funksionon direkt me AirDrop-in e iPhone. Fillon me Pixel 10, por është vetëm çështje kohe që ta marrin edhe pajisjet e tjera Android. Dhe pjesa më e bukur? Lidhja është direkte, peer-to-peer, pa servera, pa rrugë të çuditshme, pa kompromise. Thjesht dy pajisje që e shohin njëra-tjetrën dhe ndajnë të dhëna në normalitet total.

Procesi është i thjeshtë: përdoruesi i iPhone-it vendos AirDrop-in në “Everyone for 10 minutes”, dhe Pixel-i e sheh menjëherë si destinacion. Edhe anasjelltas funksionon, mjafton që edhe Android-i të jetë i dukshëm. Google po e quan këtë vetëm hapin e parë, sepse synimi është që më vonë të punojë edhe në mënyrën “Contacts Only”, që të mos ketë nevojë për asnjë klikim shtesë.

Në thelb, kjo zgjidh një dramë që ka ekzistuar që prej ditës së parë të smartfonëve: komunikimin midis dy ekosistemeve që kanë jetuar si dy fqinj që nuk flasin me njëri-tjetrin. Tani, më në fund, ka një mënyrë të shpejtë, të pastër dhe të sigurt për të kaluar foto, video dhe dokumente.

Dhe realisht, për herë të parë, duket sikur pajisjet po bëhen më bashkëpunuese sesa kokëforta.