Në vitet e fundit, një trend i ri po përhapet shpejt mes grave profesioniste në mbarë botën: edhe pse ndodhen në kulmin e karrierës, gjithnjë e më shumë prej tyre po zgjedhin me vetëdije të bëjnë një hap prapa nga puna.
Sipas të dhënave të fundit nga SHBA-ja, vetëm mes janarit dhe korrikut 2025, mbi 200 mijë gra u larguan nga tregu i punës – në një kohë kur dhjetëra mijëra burra hynë në të.
Ky ndryshim po shënon një fazë të re të asaj që ekspertët e quajnë “pauza e fuqisë” – një periudhë reflektimi, rivlerësimi dhe zgjedhjeje personale.
Gazetarja e “New York Times”, Issie Lapowsky, e përshkruan këtë si një lëvizje të vetëdijshme të grave që kanë arritur sukses profesional, por që kërkojnë diçka më shumë përtej karrierës.
Këto gra po marrin një vendim të vetëdijshëm – duan më shumë kohë me fëmijët e tyre, duan të jenë shefe të vetes, duan një jetë më kuptimplote
-shkruan ajo.
Një nga rrëfimet më prekëse është ai i një gruaje që, megjithëse kishte ndihmë në shtëpi, refuzoi të punësonte një dado tjetër.
Nuk dua një dado tjetër. Dua momentet e mia
-tha ajo, duke reflektuar thelbin e këtij fenomeni.
Ekspertët theksojnë se pandemia ka luajtur një rol kyç në këtë ndryshim. Periudha e izolimit bëri që shumë gra të përjetonin për herë të parë një ritëm jete më të qetë, pranë familjes.
Siç vëren Lapowsky, “miliona gra që u detyruan të punonin nga shtëpia, e kuptuan se çfarë kishin humbur duke qenë larg.”
Një studim i “McKinsey & LeanIn” tregon se numri i grave që e deklarojnë veten si “amvisa me zgjedhje” apo që punojnë me kohë të pjesshme nga shtëpia është në rritje të ndjeshme.
Po ashtu, gjithnjë e më shumë udhëheqëse femra po largohen vullnetarisht nga kompanitë e tyre.
Autorja e librit “Power Pause”, Neha Ruch, e sheh këtë si një hap zhvillimor, jo si tërheqje.
Këto gra po rriten në një mënyrë tjetër – duke ndërtuar aftësi të reja përmes jetës dhe përvojës personale. Ato duhet mirëpritur përsëri në tregun e punës me respekt për këtë përvojë.
Megjithatë, fenomeni ngre edhe shqetësime. Ndërsa disa gra kanë luksin të bëjnë zgjedhje të tilla, shumë të tjera përballen me kufizime ekonomike dhe mungesë mbështetjeje.
Është e bukur ideja e fuqizimit, por jo të gjitha gratë kanë mundësinë ta praktikojnë
-thekson Lapowsky.
Në fund, “pauza e fuqisë” mbetet një pasqyrë e kohës sonë: një përpjekje për të rikthyer ekuilibrin mes suksesit profesional dhe mirëqenies personale — aty ku karriera nuk është më qëllimi, por vetëm një pjesë e jetës.