Health & Beauty

Një formë e re e kësaj vitamine mund të ndihmojë në luftën kundër sëmundjes Alzheimer!

Një formë e re e vitaminës K, e zhvilluar në laborator, mund të ndihmojë në ngadalësimin e përparimit të sëmundjes Alzheimer dhe madje të ndihmojë në rigjenerimin e qelizave nervore të humbura, zbuluan shkencëtarë japonezë. Sipas studiuesve, një përbërje që buron nga vitamina K dhe që ndikon në ngadalësimin e Alzheimerit apo në zbutjen e simptomave të tij nuk do të përmirësonte vetëm cilësinë e jetës, por edhe do të ulte ndjeshëm koston e kujdesit shëndetësor. Ekipi kërkimor nga Instituti Teknologjik Shibaura në Tokio testoi 12 përbërje të reja të vitaminës K, të përmirësuara me acid retinoik, një derivat i vitaminës A që njihet për rolin e tij në nxitjen e rritjes së qelizave të trurit dhe rigjenerimin nervor.

Rezultatet, treguan se disa nga këto molekula kishin efekt rigjenerues mbi neuronet, duke ndihmuar rikthimin e disa funksioneve të trurit. “Humbja e neuroneve është një nga tiparet kryesore të sëmundjeve neurodegjenerative si Alzheimeri. “Analoge të reja të vitaminës K mund të veprojnë si agjentë rigjenerues që ndihmojnë në rikthimin e funksioneve të trurit”, shpjegon Dr. Yoshihisa Hirota, bashkautor i studimit.

Në formën e saj natyrale, vitamina K gjendet si filokinon (K₁) dhe menakinon (K₂). Ajo njihet për rolin në koagulimin e gjakut dhe shëndetin e kockave, por studimet e viteve të fundit zbulojnë se ka edhe efekte mbrojtëse në tru. Sipas kërkimeve të Frontiers in Aging Neuroscience (2023) dhe Nature Reviews Neurology (2024), vitamina K ndihmon në uljen e stresit oksidativ në tru, mbrojtjen e membranave të neuroneve nga dëmtimi, përmirësimin e metabolizmit të sfingolipideve, yndyrna të rëndësishme për funksionimin e qelizave nervore dhe frenimin e grumbullimit të proteinës β-amiloide, që lidhet me zhvillimin e Alzheimerit. Kombinimi i vitaminës K me acidin retinoik (vitamina A) mund të jetë një hap drejt krijimit të terapive të reja që ngadalësojnë rënien njohëse dhe ndihmojnë rikthimin e funksioneve nervore.