Aktualitet Sociale

Guvernatori Sejko prezanton Raportin Vjetor të Bankës së Shqipërisë: Ekonomia po rritet mes sfidash!

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko prezantoi këtë të hënë raportin vjetor të vitit 2024, në Komisionin e Ekonomisë, duke vënë theksin tek zhvillimet ekonomike të vendit. Gjatë prezantimit Sejko tha se ekonomia ka vijuar të rritet dhe trendi pozitiv do të vijojë edhe përgjatë viteve të ardhshme, edhe pse rreziqe të ndryshme janë prezentë.

“Në këndvështrimin e Bankës së Shqipërisë, perspektiva e zhvillimeve ekonomike të vendit mbetet pozitive. Skenari ynë bazë i parashikimeve sugjeron se ekonomia shqiptare do të vijojë të rritet me ritme të qëndrueshme dhe pranë potencialit, në horizontin afatmesëm. Rritja e qëndrueshme ekonomike do të krijojë premisa për rritje të punësimit, të pagave e të mirëqenies. Megjithatë, rreziqet mbi të ardhmen nuk mungojnë. Në horizontin afatshkurtër, tensionet gjeopolitike dhe konfliktet tregtare mund të kenë pasoja potencialisht negative mbi rritjen ekonomike dhe nivelin e çmimeve në vend. Këto rreziqe duhen monitoruar në vazhdimësi, për t’i paraprirë – në rast materializimi të tyre – një përgjigje sa më të koordinuar dhe efektive të politikave makroekonomike”, tha guvernatori Sejko.

Përtej ecurisë pozitive Banka e Shqipërisë ka 5 rekomandime për qeverinë, në mënyrë që ekonomia të mos cenohet nga sfidat që ka përpara, nga përmirësimi i klimës së biznesit, tek shpërndarja e investimeve të huaja e deri tek adresimi i sfidës demografike e plakjes së popullsisë.

“Në vizionin tonë, reformat strukturore të nevojshme për të adresuar sfidat e mësipërme duhet të synojnë: (I) rritjen e produktivitetit, nëpërmjet investimeve të mëtejshme në arsim e shëndetësi, dhe përmirësimin e klimës së biznesit; (II) ruajtjen e fokusit në zgjerimin e përmirësimin e gjithanshëm të infrastrukturës publike; (III) promovimin e konkurrencës, ndër të tjera nëpërmjet reduktimit të mëtejshëm të informalitetit; (IV) nxitjen e investimeve të huaja direkte në sektorë strategjikë, si industria dhe energjetika; si dhe, (V) ruajtjen e fokusit në stabilitetin makroekonomik. Trendet e pafavorshme demografike nënkuptojnë plakjen e popullsisë dhe reduktimin e forcës së punës, në afatin e gjatë. Këto trende, të pranishme në të gjitha ekonomitë e rajonit dhe të Bashkimit Evropian, tentojnë të frenojnë rritjen e produktivitetit dhe cenojnë qëndrueshmërinë e skemës së pensioneve”, u shpreh Sejko.

Banka kufizoi kredinë për pasurinë e paluajtshme, Sejko: Të parandalojmë përsëritjen e krizës së 2008-ës

Nga 1 korriku kredia për blerje banesash u kufizua me vendim të Bankës së Shqipërisë në mënyrë që bankat të mos ekspozohen më tej në këtë treg, pasi volumi më i lartë i kredisë që japin bankat shkon për këtë sektor.

Guvernatori tha në Komisionin e Ekonomisë se masat e marra, janë më shumë parandaluese ose mbrojtëse të sistemit bankar që të mos përsëritet kriza e 2008-ës.

“Për tregun e pasurive të paluajtshme, është një treg që po zhvillohet. Ne e shohim tregun në tërësi në raport me sektorin financiar. Shqetësimi ynë parësorë është që mos të ndikojë në kreditim, ngjashmërisht me krizën e 2008-ës kur në Amerikë falimentuan bankat dhe tregu u fry u fry deri në momentin kur çmimet ranë, ra vlera e kolateralit dhe natyrisht kreditë nuk paguheshin më. Ndaj ne kemi marrë masat tona”, thotë guvernatori.