Aktorja fituese e Oscar-it, Gwyneth Paltrow, është vënë në qendër të kritikave në rrjetet sociale pasi u shfaq në një reklamë për një projekt luksoz banesash në Izrael.
Paltrow mori pjesë në një video promovuese për “51Park”, një kompleks rezidencial elitë që po ndërtohet në qytetin e Herzliya-s. Projekti ka ngjallur polemika të shumta, ndërsa videoja e aktores u përhap me shpejtësi në internet dhe shkaktoi reagime të forta nga aktivistë dhe figura publike.
Në reklamë, Paltrow shfaqet duke nisur ditën e saj në një apartament luksoz në New York, përpara se të hipë në një makinë. Në fund të videos, ajo i tregon shoferit destinacionin e saj: “51 Park”. Kur ai e pyet nëse bëhet fjalë për New York-un, aktorja përgjigjet: “Herzliya, Izrael”.
Edhe pse videoja u publikua fillimisht nga kompania zhvilluese pa tërhequr shumë vëmendje, ajo u bë virale pasi u ripostua nga profile të tjera në rrjetet sociale.
Mes kritikëve më të zëshëm ishte Alana Hadid, e cila reagoi ashpër ndaj pjesëmarrjes së aktores në fushatën reklamuese.
Niveli i këtij kapitalizmi është tronditës
-shkroi ajo në Instagram, duke shtuar se veprimi i aktores nuk mund të justifikohej si mungesë informacioni apo vëmendjeje ndaj zhvillimeve aktuale.
Edhe influencuesi Matt Bernstein kritikoi publikisht Paltrow, duke argumentuar se një person me ndikimin dhe pasurinë e saj nuk kishte nevojë të promovonte projekte të tilla.
Ndërkohë, komentet negative vërshuan në rrjetet sociale, me shumë përdorues që kërkonin bojkotimin e aktores.
Megjithatë, jo të gjithë reaguan kundër saj. Aktorja Selma Blair doli në mbështetje të Paltrow-t, duke komentuar publikisht:
E dua edhe më shumë tani
Deri më tani, Gwyneth Paltrow nuk ka reaguar publikisht ndaj polemikave dhe kritikave që kanë shpërthyer pas publikimit të reklamës.