Bota

Hakmarrja kineze, tarifa ndaj SHBA-ve dhe hetim Google-it!

Kina vendos tarifa ndaj mallrave amerikane, si përgjigje ndaj atyre që Shtetet e Bashkuara i vunë mallrave kineze ditë më parë, duke ripërtërirë luftën tregtare mes dy ekonomive kryesore në botë. Po ashtu, Pekini njoftoi se po kryen një hetim ndaj kompanisë Google. Tarifat shtesë prej 10% ndaj të gjitha importeve nga Kina në SHBA hynë në fuqi pasi presidenti Trump paralajmëroi Pekinin se nuk po bënte mjaftueshëm për ta ndalur rrjedhën e drogave të jashtëligjshme në Shtetet e Bashkuara.

Nuk vonoi shumë dhe Ministria e Financave e Kinës njoftoi se do të vendosë taksë 15% për qymyrin e gazin e lëngshëm natyror të SHBA-ve, si dhe 10% taksë ndaj naftës së papërpunuar, pajisjeve bujqësore e disa automjeteve amerikane.

Tarifat e reja ndaj mallrave amerikane do të hyjnë në fuqi më 10 shkurt. Rritja e njëanshme e tarifave nga SHBA-të shkel seriozisht rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë. Jo vetëm që kjo nuk ndihmon në zgjidhjen e problemeve, por gjithashtu dëmton bashkëpunimin normal ekonomik e tregtar midis Kinës dhe SHBA-ve.

Ndërkohë, Administrata Shtetërore e Kinës për Rregullimin e Tregut tha se po e heton Google-in për dyshime mbi shkeljen e ligjeve antitrust. Në anën tjetër, tarifat e SHBA-ve për mallrat nga Kanadaja dhe Meksika gjithashtu pritej të hynin në fuqi sot, por Trump ra dakord ta shtyjë me 30 ditë vendimin, pasi këto dy vende ndërmorën veprime për të adresuar shqetësimet e tij mbi sigurinë kufitare dhe trafikimin e drogës. Trump synon të bisedojë me presidentin e Kinës, Xi Jinping, ditët në vijim.

Përveç tarifave, Kina njoftoi se do të vendosë kontrolle ndaj eksportit të disa elementeve jetike për prodhimin e produkteve moderne të teknologjisë së lartë. Këto përfshijnë tungstenin, teluriumin, bismutin, molibdenin dhe indiumin. Shumica e këtyre elementeve janë cilësuar si minerale jetike nga Shërbimi Gjeologjik i SHBA-ve, që do të thotë se janë thelbësore për ekonominë ose sigurinë kombëtare amerikane.

Në dhjetor, Kina vendosi kontrolle edhe për elemente kyçe, si galiumi, i cili përdoret në prodhim. Ministria e Financave vendosi dy kompani amerikane në listën e entiteteve të pasigurta: PVH Group, pronare e Calvin Klein-it dhe Tommy Hilfiger-it e Illumina-n, një kompani bioteknologjike me zyrë në Kinë.

Përfshirja në këtë listë ua ndalon të angazhohen në aktivitete të lidhura me importin ose eksportin në Kinë, si dhe të bëjnë investime të reja në vend.