Bota

Tarifat tregtare, Trump paralajmëron amerikanët!

Donald Trump paralajmëroi amerikanët se mund të përballen me “vuajtje” ekonomike, për shkak të tarifave tregtare që sapo ka vendosur ndaj partnerëve tregtarë të SHBA-ve. Gjithashtu, kërcënoi me luftë më të gjerë tregtare, për të përfshirë edhe Bashkimin Europian (BE) e mbase Britaninë e Madhe.

A do të ketë vuajtje? Po, mbase (dhe mbase jo!). Megjithatë do t’ia vlejë barra qiranë.

Trump iu tha gazetarëve se synon të bisedojë me liderët e Kanadasë dhe Meksikës në lidhje me tarifat, për të cilat ekspertët thonë se mund të trazojnë ekonominë botërore. Por, Trump nuk tregoi nëse po i rishqyrtonte veprimet e tij.

Nuk pres asgjë shumë dramatike. Tarifat ndaj mallrave nga BE-ja do të vendosen patjetër dhe kjo do të ndodhë shumë shpejt.

Presidenti la të kuptohej se edhe Britania e Madhe mund të përballet me tarifa. BE-ja u shpreh se do të kundërpërgjigjet “fuqishëm”, nëse Trump vendos tarifa, pavarësisht se shpreson në shmangien e një lufte tregtare përmes bisedimeve.

Bashkimi Europian shpreh keqardhje mbi vendimin e SHBA-ve për të vendosur tarifa ndaj Kanadasë, Meksikës dhe Kinës.

Vendet e prekura, Kanadaja, Meksika dhe Kina kërcënuan se do të ndërmarrin veprime hakmarrëse, si edhe bënë thirrje për bisedime tregtare në vend të tarifave, që mund t’i rrisin çmimet për konsumatorët e t’i dëmtojnë ekonomitë e të gjitha palëve të përfshira.

Trump tha se i vuri këto tarifa ndaj fqinjëve të SHBA-ve që të ndalet fluksi i emigrantëve dhe i fentanilit të paligjshëm në Shtetet e Bashkuara edhe pse shkaktari i këtyre çështjeve është shumë i diskutueshëm e përfshin një sërë faktorësh të ndërlikuar.

Këto tarifa do të ndihmojnë në uljen e deficitit tregtar me partnerët kryesorë dhe do të nxisin prodhimin industrial në SHBA. Uashingtoni do t’i godasë Kanadanë dhe Meksikën me tarifa prej 25% për të gjitha mallrat, megjithëse produktet energjetike kanadeze do të përballen me 10%. Tarifat e reja përfshijnë një taksë prej 10% për mallrat nga Kina, përveç atyre të vendosura më parë. Tarifat për mallrat nga të tre vendet do të hyjnë në fuqi më 4 shkurt.

Trump nuk i kushtoi rëndësi kërcënimit të Kanadasë për veprime hakmarrëse, duke thënë:

Nëse duan ta luajnë lojën, nuk e kam telash. Mund ta luajmë lojën sa të duan ata. Pa tregtinë me SHBA-të, Kanadaja nuk do të jetë vend i qëndrueshëm. E vrazhdë, por e vërtetë! Prandaj, Kanadaja duhet të bëhet shteti ynë i dashur i 51-të. Taksa shumë më të ulëta dhe mbrojtje shumë më e mirë ushtarake për popullin e Kanadasë – DHE ASNJË TARIFE!

Kryeministri kanadez, Justin Trudeau ka njoftuar synimin për t’u larguar nga posti i kryeministrit dhe partia e tij Liberale do ta zgjedhë liderin e ri, më 9 mars. Zgjedhjet pritet të mbahen në pranverë. Kanadaja synon të vendosë tarifa prej 25% ndaj importeve nga SHBA-të, përfshirë pijet, produktet kozmetike dhe letrën.

Presidentja meksikane, Claudia Sheinbaum, deklaroi se do të japë hollësi mbi përgjigjen e vendit të saj më 3 shkurt. Edhe Kina ka thënë se do t’i kundërpërgjigjet Trumpit.