Në Gaza, Hamasi përfundoi lirimin e të njëzet pengjeve izraelite pas arritjes së një armëpushimi të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, 738 ditë pas fillimit të konfliktit në Lindjen e Mesme. Sheshet e Tel Avivit u mbushën me njerëz që festuan lirimin e bashkatdhetarëve të tyre.
Rreth 2 mijë të burgosur palestinezë do të lirohen gjithashtu. Ndërkohë, presidenti amerikan, Donald Trump filloi turneun e tij në Lindjen e Mesme, ku do të ndalet edhe në Egjipt për samitin në Sharm el-Sheikh, rreth orës 17:00 sipas asaj lokale.
Duke folur me gazetarët në bordin e Air Force One-it, shefi i Shtëpisë së Bardhë, i cili po qëndron në Izrael para se të udhëtojë drejt Egjiptit për një samit për paqen në Lindjen e Mesme, njoftoi:
Mendoj se armëpushimi do të mbahet. Lufta në Gaza ka mbaruar.
Trump shkoi në Knesset ku përshëndeti kryeparlamentarin Amir Ohana, përpara se të ulej për të nënshkruar në librin e të ftuarve të Parlamentit.
Ky është një nder i madh për mua. Një ditë e madhe dhe e mrekullueshme, një fillim i ri, shkroi Trump.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, në një mesazh video, tha:
Fëmijët do të kthehen në tokën e tyre. Kjo është një ngjarje historike. Një rrugë shërimi po fillon, kemi nevojë për unitet midis nesh.
“Pasi të kthehen pengjet, ne do të shkatërrojmë të gjitha tunelet”, bëri të ditur ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz. Kamionët e parë të ngarkuar me ndihma që hynë në Gaza u sulmuan nga palestinezët.
Kryediplomatja e Bashkimit Europian, Kaja Kallas deklaroi se Unioni do të rikthejë misionin vëzhgues në pikën kufitare mes Gazës dhe Egjiptit.
Garantimi i paqes në Gaza do të jetë jashtëzakonisht kompleks, vuri në dukje Kallas përmes një postimi në X.
BE-ja është e gatshme të bëjë pjesën e vet. Të mërkurën, ne do ta rikthejmë misionin civil për të vëzhguar pikën kufitare mes Gazës dhe Egjiptit.