Bota

2 vjet luftë në Gaza, nis dorëzimi i pengjeve izraelite!

Izraeli bëri të ditur se pranoi shtatë pengjet e par֝ë. Ushtria publikoi emrat e tyre në rrjete sociale, me mbishkrimin: “Mirë se vini në shtëpi”. Sapo të arrijnë në Izrael, pengjet do t’iu nënshtrohen kontrolleve mjekësore, siç raportoi ushtria.

Presidentit amerikan, Donald Trump, pritet t’i bëhet pritje madhështore në Izrael, me qilim të kuq të shtruar për në pistën e aeroportit. Të pranishëm janë edhe zyrtarë ushtarakë, presidenti i Izraelit, Isaac Herzog e kryeministri. Benjamin Netanyahu ia ka përsëritur disa herë Trump-it se Izraeli nuk ka pasur kurrë mik më të mirë në krye të Shtëpisë së Bardhë.

Pas Izraelit, Trump do të shkojë në Egjipt në një samit për Gazën, me pjesëmarrjen e 20 liderëve botërorë. Gjatë rrugës për në rajon, shefi i Shtëpisë së Bardhë deklaroi se “lufta ka marrë fund” në Gaza. Kjo falë ndërmjetësimit të tij, përmes një plani me 20 pika. Në këmbim të lirimit të pengjeve, Izraeli do të lirojë 250 palestinezë e mbi 1 mijë e 700 të ndaluar të tjerë.

Çfarë parasheh plani i Trump-it?

Sipas planit, operacionet ushtarake janë ndalur në Gaza. Hamasit i kërkohet shkatërrim i plotë i armëve. Faza e parë e parasheh atë që po ndodh sot: lirimin e pengjeve izraelite në këmbim të të burgosurve palestinezë.

Një tjetër pikë e rëndësishme ka të bëjë me dërgimin e ndihmave në Gaza, proces që tashmë ka nisur. Shtetet e Bashkuara kanë përmendur në plan edhe drejtimin e Gazës në të ardhmen. Aty thuhet:

Një komitet palestinez teknokratik dhe apolitik do të qeverisë përkohësisht, me mbikëqyrjen e një trupe ndërkombëtare, Bordi i Paqes, i cili do të drejtohet nga presidenti amerikan, Donald Trump. Në të do të marrin pjesë edhe të tjerë liderë shtetesh.

Po ashtu, theksohet se Hamasi nuk duhet të ketë asnjë rol në qeverisje “direkte, jodirekte, apo të çfarëdo forme”. Një pjesë e mirë i është kushtuar atij që Amerika e quan “plan për zhvillim ekonomik”, me qëllim rindërtimin e Gazës. Aty përmendet se:

Izraeli nuk do ta pushtojë apo aneksojë Gazën dhe se forcat izraelite do të largohen nga territori në disa faza. Plani e lë të hapur derën për një shtetësi palestineze.