Bota

Pas paqes në Gaza, Trump mbërrin në Izrael/Pritet si hero!

Presidenti amerikan, Donald Trump sapo ka arritur në Izrael, ku pritet të flasë para Parlamentit të këtij shteti, para se të udhëtojë drejt Egjiptit, ku është mikpritës i një samiti për paqe në Lindjen e Mesme. Në shtetin hebraik i është rezervuar një pritje prej heroi, me të gjitha nderimet. Kryeministri Netanyahu e ka cilësuar mikun më të çmuar që kanë patur ndonjëherë në krye të Shtëpisë së Bardhë.

Shtatë prej 20 pengjeve izraelite që ende janë gjallë, hynë në tokën izraelite ku pasi të marrin trajtim mjekësor do të bashkohen me familjet e tyre.

Makina të Kryqit të Kuq kanë shkuar në zonën e Gazës, aty ku Hamasi, grupi palestinez i shpallur “terrorist” nga Shtetet e Bashkuara dhe fuqi të tjera, po liron pengjet izraelite në grupe.

Sipas planit të shefit të Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump, operacionet ushtarake janë ndalur në Gaza. Hamasit i kërkohet shkatërrim i plotë i armëve. Faza e parë e parasheh atë që po ndodh sot: lirimin e pengjeve izraelite në këmbim të të burgosurve palestinezë.

Një tjetër pikë e rëndësishme ka të bëjë me dërgimin e ndihmave në Gaza, proces që tashmë ka nisur. Shtetet e Bashkuara kanë përmendur në plan edhe drejtimin e Gazës në të ardhmen. Aty thuhet:

Një komitet palestinez teknokratik dhe apolitik do të qeverisë përkohësisht, me mbikëqyrjen e një trupe ndërkombëtare, Bordi i Paqes, i cili do të drejtohet nga presidenti amerikan, Donald Trump. Në të do të marrin pjesë edhe të tjerë liderë shtetesh.

Po ashtu, theksohet se Hamasi nuk duhet të ketë asnjë rol në qeverisje “direkte, jodirekte, apo të çfarëdo forme”. Një pjesë e mirë i është kushtuar atij që Amerika e quan “plan për zhvillim ekonomik”, me qëllim rindërtimin e Gazës. Aty përmendet se:

Izraeli nuk do ta pushtojë apo aneksojë Gazën dhe se forcat izraelite do të largohen nga territori në disa faza. Plani e lë të hapur derën për një shtetësi palestineze.