Bota

Hamasi: Trupat e pesë pengjeve të tjerë do të dorëzohen në orën 20:00!

Trupat e pesë pengjeve të tjera të vrarë në Gaza do t’i dorëzohen Izraelit nga Hamasi sonte në orën 20:00 njoftuan burime nga Brigadat al-Qassam, krahu ushtarak i Hamasit.

Ndërkohë më herët Ministri i Mbrojtjes së Izraelit ka paralajmëruar grupin e armatosur palestinez se “çdo vonesë ose shmangie e qëllimshme do të konsiderohet një shkelje e rëndë e marrëveshjes dhe do të marrë përgjigje përkatëse”.

Hamasi ka dorëzuar trupat e katër pengjeve të tjerë, teksa pritet që në orën 20:00 të dorëzojë edhe pesë të tjerë. Në total, janë 28 pengje të vdekur, ndërsa 20 të gjallë, u liruan të hënën pas dakordësisë për fazën e parë të planit të paqes në Gaza. Por izraelitët deklaruan se trupi i njërit prej të vdekurve nuk i përket asnjë pengu izraelit.

Hamasi ka  kërkuar kohë për dorëzimin e të gjithë trupave sepse disa janë nën rrënoja. Sipas Times of Israel, pritet dorëzimi edhe i 4 trupave të tjerë brenda ditës së sotme.

Plani i armëpushimit i Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, të cilin e pranuan si Izraeli ashtu edhe Hamasi, parashikonte që dorëzimi i të 48 pengjeve do të përfundonte deri në mesditën e së hënës. Ministri i Mbrojtjes i Izraelit e ka paralajmëruar grupin e armatosur palestinez se “çdo vonesë ose shmangie e qëllimshme do të konsiderohet një shkelje e rëndë e marrëveshjes dhe do të marrë përgjigje përkatëse”.

Pas dorëzimit të katër trupave, qeveria izraelite pritej që të rihapte pikën kufitare në Rafah. Por sipas raportimit të mediave izraelite, pika kufitare është e planifikuar të hapet nesër nën mbikëqyrjen e Misionit të Ndihmës Kufitare të Bashkimit Evropian.

Ka gjithashtu raportime se tashmë ka nisur edhe faza e dytë e bisedimeve. Këtë e raportoi Wall Street Journal, por Tel Avivi e mohon duke thënë se bisedimet e tjera do të vazhdojnë kur të jetë përmbyllur e gjithë faza e parë, që do të thotë dorëzimi i të gjithë trupave të pengjeve.

Marrëveshja për fazën e parë u nënshkrua më 13 tetor në Sharm el-Sheikh, dhe përfshiu tërheqjen e pjesshme të ushtrisë izraelite (e cila mban kontrollin e 53% të Rripit), kthimin e pengjeve dhe lirimin e 1,968 të burgosurve palestinezë. Por tashmë po ushtrohet presion ndaj Hamasit për çmilitarizimin e tij.

Sipas medias amerikane Axios, lëvizja ka shprehur gatishmërinë për t’i dorëzuar armët e rënda, kryesisht raketa, një entiteti palestinez ose arab, por por ka këmbëngulur në mbajtjen e armëve të tjera për vetëmbrojtje.