Departamenti amerikan i Shtetit deklaroi se ka “raporte të besueshme” që Hamasi palestinez po planifikon një sulm të shpejtë ndaj civilëve në Gaza, një lëvizje që sipas Uashingtonit do të përbënte “shkelje të armëpushimit” me Izraelin.
Ky sulm i planifikuar ndaj civilëve palestinezë do të përbënte shkelje të drejtpërdrejtë dhe të rëndë të marrëveshjes së armëpushimit e do të minonte përparimin e bërë përmes përpjekjeve për ndërmjetësim, njoftoi Uashingtoni zyrtar. Nëse Hamasi e ndërmerr këtë sulm do të ketë masa për të mbrojtur banorët e Gazës dhe për të ruajtur integritetin e armëpushimit.
Në deklaratë nuk u dhanë detaje se për çfarë masash bëhet fjalë, edhe pse më herët këtë javë, presidenti amerikan, Donald Trump ka kërcënuar Hamasin lidhur me vrasjen e civilëve.
Nëse Hamasi vazhdon me vrasjen e njerëzve në Gaza, gjë që nuk ishte marrëveshja, ne nuk do të kemi zgjidhje tjetër veçse të shkojmë e t’i vrasim, shkroi Trump në një postim në rrjetin e tij social, Truth Social, pa dhënë detaje të tjera.
Hamasi hodhi poshtë deklaratën e DASH-it, duke thënë se akuzat që po përgatit sulm ndaj civilëve në Gazë “janë të rreme”.
Javën e kaluar, Hamasi dhe Izraeli ranë dakord për një marrëveshjeje paqeje të ndarë në faza. Përmes saj, Izraeli i dha fund ofensivës ushtarake në Gaza, në këmbim të lirimit të pengjeve që po mbaheshin atje që nga sulmi i Hamasit, më 7 tetor 2023.
Po zhvillohet faza e parë e marrëveshjes, që përfshin lirimin e pengjeve të gjallë dhe kthimin e trupave të pajetë të pengjeve. Uashingtoni tha se ka njoftuar garantuesit e marrëveshjes së paqes, që përfshijnë Shtetet e Bashkuara, Egjiptin, Katarin e Turqinë, lidhur me “shkeljen e mundshme të armëpushimit nga Hamasi”.
Më herët gjatë kësaj jave, Hamasi forcoi kontrollin mbi qytetet e shkatërruara të Gazës, duke nisur një fushatë shtypjeje dhe ekzekutuar persona që i akuzoi si “kolaboracionistë”.
Hamasi publikoi një video në kanalin e tij zyrtar, ku shfaqej ekzekutimi në rrugë i tetë personave me sy të lidhur e të gjunjëzuar, për shkak se i akuzoi si “bashkëpunëtorë”. Gjasat janë që video të jetë regjistrua mbrëmjen e së hënës së 13 tetorit.