Presidenti i Republikës, Bajram Begaj përshëndeti hapjen e grup-kapitullit të 2-të të negociatave.
“Një tjetër hap i rëndësishëm në rrugën e integrimit evropian: Hapja e grupkapitullit 2 të negociatave, ‘Tregu i Brendshëm’, në kuadër të Konferencës së katërt Ndërqeveritare Shqipëri-BE.
Të vazhdojmë përpara me shumë përkushtim, bashkëpunim, përgjegjësi dhe më shumë punë për të ecur të palëkundur drejt anëtarësimit në BE”, shkroi Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, në rrjetet e tij sociale.
Menjëherë pas përfundimit të Konferencës së Katërt Ndërqeveritare të mbajtur sot pasdite në Luksemburg mes BE-Shqipëri, ku është çelur një tjetër grup-kapitull negociatash për Tregun e Brendshëm, ka ardhur edhe reagimi i Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani.
“Një hap tjetër i rëndësishëm sot në Konferencën e Katërt Ndërqeveritare BE–Shqipëri në Luksemburg:
Hapja e Grup-Kapitullit të Dytë me 9 kapituj – Tregu i Brendshëm është një sinjal i qartë se sa shpejt dhe me sa seriozitet Shqipëria po përkushtohet në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Tre grup-kapituj. Të hapur—dhe duke ecur me ritëm të shpejtë.”, shprehet Ministri Hasani.
Ai nënvizon gjithashtu se: “E dimë që koha është e çmuar, dhe nuk po humbim asnjë sekondë në rrugën drejt anëtarësimit në BE”.
“Nuk jemi thjesht në rrugën e duhur. Po shpejtojmë.”, përfundon reagimin e tij Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani.