Aktualitet Politikë Zgjedhjet 2025

Harta zgjedhore, Kukësi mbeti blu!

Ndryshe nga pjesa tjetër e vendit, qarku i Kukësit u ngjyros sërish blu në këto zgjedhje, duke refuzuar me votë Partinë Socialiste në pushtet. Koalicioni i udhëhequr nga Partia Demokratike ka dalë fitues në pjesën dërrmuese të qendrave të votimit, përfshi qytetin e Kukësit dhe dhjetë njësi administrative, mes të cilave edhe vendlindja e kryetarit të Bashkisë së Kukësit, Albert Halili.

Komisioni Zonal Zgjedhor e shpalli të mbyllur procesin e numërimit të votave për partitë mbrëmjen e së hënës, ndërkohë që po fillon numërimi i votave për kandidatët e listës së hapur. Në bazë të tabelës përmbledhëse të shpërndarë nga zyrtarë të KZAZ nr.11 të Kukësit, numri i zgjedhësve që kanë votuar në ZAZ nr. 11 është 20.932 persona, nga këto 10.045 femra.

Nga 19,950 vota të vlefshme, 9331 vota i përkasin koalicionit PD-ASHM, ndërsa 6229 vota janë për Partinë Socialiste dhe 3880 vota i përkasin Partisë Socialdemokrate. Koalicioni PD-ASHM ka siguruar një epërsi prej 3102 votash ndaj Partisë Socialiste në pushtet, duke marrë dy nga tre mandatet e qarkut.