Celebrities Gossip Showbiz

Historia e dashurisë që i rezistoi famës! Zbulohet sekreti i martesës mbi 50-vjeçare e Bonnie Tyler!

Bonnie Tyler është një nga zërat më të njohur të muzikës botërore, por larg skenës dhe hiteve legjendare si “Total Eclipse of the Heart” dhe “It’s a Heartache”, këngëtarja ka ndërtuar edhe një histori dashurie që për dekada është konsideruar një nga më të bukurat në botën e showbiz-it.

Për më shumë se pesë dekada, ajo ndau jetën me bashkëshortin e saj, Robert Sullivan, njeriun që e njohu shumë përpara se fama ta shndërronte në një yll ndërkombëtar.

Historia e tyre nisi në fund të viteve 1960, kur Bonnie këndonte në klube nate në Uells, ndërsa Robert Sullivan drejtonte një prej tyre.

Këngëtarja ka rrëfyer se ishte një tërheqje e menjëhershme.

Ai ishte shumë i pashëm

-kujtoi ajo në një intervistë, duke folur për takimin e tyre të parë.

Çifti u martua në vitin 1973, kur Bonnie ishte vetëm 22 vjeçe. Robert, një ish-xhudist olimpik dhe sipërmarrës i suksesshëm, u bë jo vetëm partneri i saj i jetës, por edhe mbështetësi më i madh gjatë gjithë karrierës.

Pa të nuk do ta kisha arritur këtë sukses

Bonnie nuk e fshehu kurrë rolin vendimtar që Robert kishte në jetën e saj.

Në një intervistë për “The Guardian”, ajo tregoi se bashkëshorti ishte personi që e mbante gjithmonë me këmbë në tokë dhe që kujdesej për financat dhe investimet e familjes.

Roberti ishte gjithmonë aty për mua. Pa të, nuk do të kishte as gjysmën e suksesit tim

-është shprehur këngëtarja.

Ajo tregoi se një nga arsyet pse martesa e tyre funksionoi ishte fakti që Robert e shoqëronte shpesh në turne dhe ishte gjithmonë pranë saj, pavarësisht ritmit të vrullshëm të karrierës.

Edhe pse jetuan një martesë të gjatë dhe të lumtur, Bonnie dhe Robert nuk patën fëmijë.

Artistja ka folur hapur për këtë plagë të jetës së saj, duke zbuluar se në fillim vendosën ta shtynin prindërimin për shkak të karrierës.

Më vonë, kur mbeti shtatzënë në moshën 39-vjeçare, ajo pësoi një abort, një humbje që e preku thellë.

Megjithatë, Bonnie ka treguar se dashurinë për familjen e gjeti te nipërit dhe mbesat, me të cilët kishte një marrëdhënie shumë të afërt.

Kur pyetej për formulën e martesës së tyre të suksesshme, Bonnie jepte gjithmonë të njëjtën përgjigje: dashuri, respekt dhe mbështetje.

Unë jam ende shumë e dashuruar me të, dhe ai është ende i dashuruar me mua

-ka deklaruar ajo në një nga intervistat e saj.

Sipas këngëtares, sekreti ishte se nuk lodheshin kurrë nga prania e njëri-tjetrit dhe se Robert gjithmonë e mbështeti pa kushte në çdo hap të karrierës.

Ndërsa shumë histori dashurie në botën e të famshmëve u shuan me kalimin e viteve, ajo e Bonnie Tyler dhe Robert Sullivan mbeti një shembull i rrallë i një lidhjeje të ndërtuar mbi besimin, respektin dhe dashurinë e sinqertë, larg skandaleve dhe zhurmës së famës.