Mbrëmja hapëse e Big Brother VIP Albania nuk solli vetëm emocione loje dhe spektakli, por u shndërrua në një moment të thellë dhimbjeje për një vend që do të mbetet përgjithmonë bosh.
Gjatë Prime-t të parë, publiku u përball me një homazh prekës për këngëtarin e njohur Shpat Kasapi, i cili u nda nga jeta tragjikisht më 26 nëntor, vetëm pak javë para se të hynte si banor në shtëpinë më të famshme në vend.
Aventura që duhej të ishte një kapitull i ri televiziv për Shpatin, u kthye në një plagë të hapur për bashkëshorten e tij, Selvije Jao.
Përmes një reagimi rrëqethës, ajo ndau për herë të parë me publikun bisedën e fundit që kishin bërë lidhur me hyrjen e tij në Big Brother, një bisedë që sot tingëllon si një paralajmërim i dhimbshëm.
Selvia rrëfen se shqetësimi më i madh i Shpatit nuk kishte të bënte as me lojën dhe as me famën, por me familjen që do të linte pas.
Kur Shpati mendonte të hynte në Big Brother, më pyeti: ‘Do mundesh ta përballosh mungesën time dhe të kujdesesh e vetme për Roelin, derisa unë të jem në Big?’
-shkruan ajo.
Në atë moment, përgjigjja e saj kishte qenë plot besim dhe mbështetje:
Patjetër… do të të kem 24/7 para syve.
Por ajo pranon se atëherë e kishte menduar mungesën si diçka të përkohshme, thjesht fizike, përmes ekranit, pa e ditur se 26 nëntori do ta kthente këtë bisedë në kujtimin më të dhimbshëm të jetës së saj.
Homazhi i zhvilluar në Top Channel rihapi plagën e të gjitha planeve, strategjive dhe ëndrrave që Shpati kishte për Big Brother VIP, plane që u shndërruan në një mungesë të përjetshme.
Selvia rrëfen se, pavarësisht gjithçkaje, kishte ende një shpresë të pavetëdijshme:
Unë prita deri në këto momente. Prita që të hysh në Big, sikur gjithçka të ishte vetëm një vonesë e gjatë.
Dhimbja bëhet edhe më e rëndë kur ajo flet për djalin e tyre të vogël, Roelin. Selvia shprehet se çdo ditë zemra i copëtohet, pasi ai e kërkon të atin dhe nuk e gjen askund.
Roeli rritet pa dorën tënde, dhe unë mësoj çdo ditë të jetoj me një dhimbje që nuk mësohet kurrë të shuhet
-shkruan ajo, duke e mbyllur mesazhin me fjalët prekëse:
Më mungon më shumë sesa fjalët mund ta mbajnë.