Duke filluar nga 15 shtatori, gjiganti kinez i telekomunikacionit, Huawei — dikur simbol i kapacitetit teknologjik të Kinës, nuk do të ketë më qasje në furnizime jetike me gjysmëpërçues.
Gjatë javëve të fundit, kompani furnizuese nga Koreja e Jugut dhe Tajvani kanë sinjalizuar se do të respektojnë sanksionet dhe do të ndalin shitjen e gjysmëpërçuesve për Huawein nga dita e sotme kur hyjnë në fuqi masat kundër kompanisë kineze.
“Për fat të keq, në raundin e dytë të sanksioneve amerikane, kompanitë tona që prodhojnë çipe kanë pranuar porosi deri më 15 maj. Prodhimi i çipeve do të ndalet më 15 shtator,” tha muajin e kaluar Richard Yu, shef ekzekutiv i linjës së produkteve të konsumit të kompanisë Huawei.
“Duke qenë se nuk ekziston një industri kineze e prodhimit të çipeve, Huawei ndeshet tani me problemin e mungesës së tyre,” tha ai.
Megjithë përpjekjet e Kinës për t’u bërë superfuqi globale në teknologjinë e lartë, fabrika e botës ende nuk ka arritur të prodhojë mikroçipe të cilësisë së lartë, elementi thelbësor në sistemin që ndërlidh çdo pajisje elektronike.