Aktualitet

I arrestuar për vrasjen e 4 personave, Altin Ndoci arratiset nga Spitali Infektiv i Durrësit!

Altin Ndoci, i arrestuar me urdhër të SPAK-ut, sot u arratis nga Spitali Infektiv i Durrësit ku u dërgua më herët pasi paraqiti probleme shëndetësore. I konsideruar pjesë e grupit të Çopjave, Ndoci ishte në qeli që prej muajit maj të vitit 2020 dhe akuzohet për vrasjen e Besmir e Viktor Haxhisë, si edhe të Dorjan Shkozës e Anxhelo Avdisë.

Rrethanat si Altin Ndoci u arratis, ende nuk janë të qarta. Po kontrollohen pamjet e kamerave të sigurisë për të zbardhur ngjarjen.

Drejtoria e Burgjeve reagoi, duke vënë në dukje se Ndoci ishte shoqëruar për të kryer disa vizita mjekësore. Në deklaratë thuhet se pavarësisht reagimit të forcave të Policisë së Burgjeve, nuk u bë i mundur ndalimi i tij.

Deklaratë paraprake

Paraburgosuri Altin Ndoci është larguar nga ambientet e Spitalit Rajonal të Durrësit, ku ishte shoqëruar për kryerjen e vizitave mjekësore. Të gjitha procedurat mjekësore janë zhvilluar në repartin e infektivit, i cili ka repartin e sigurisë për të dënuarit.

Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme nga forcat e Policisë së Burgjeve për ndalimin e tij, Altin Ndoci ka arritur të largohet nga spitali. Strukturat përkatëse janë vënë menjëherë në lëvizje dhe po punohet intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e tij, si dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.