Aktualitet

LAJM I FUNDIT/ Arratisja e Altin Ndocit nga spitali, arrestohen 8 persona!

Tetë zyrtarë të burgut Durrës janë arrestuar pas arratisjes spektakolare të Altin Ndocit ditën e djeshme.

Më konkretisht në pranga ranë gjashtë efektivët e policisë që u morën me shoqërimin e të burgosurit, Zv/shefi i policisë së burgut (shefi ishte me leje) si dhe kryeinfermieri i spitalit.

Ndalimet janë kryer nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve dhe Prokuroria.

Të arrestuar janë:

Aulon Çuko

Dezdemon Pazaj

Dorian Saraçi

Sali Ferollari

Preng Marvataj

Fation Baçi

Aranit Çela

Violeta Uka

Si ndodhi arratisja?

Rreth orës 13.00 të së martës ai është shoqëruar së bashku me një të dënuar tjetër nga dy efektivë policie në pavionin e infektivit. Në pritje të vizitës mjekësore ai ka kërkuar të shkojë në tualet. Me të dalë nga aty ka përfituar dhe ka goditur në befasi efektivin e policisë së burgjeve që po e ruante dhe menjëherë është larguar me vrap, ku e priste një automjet tip Audi i bardhë me të cilin është larguar.

Efektivi që e ndoqi Ndocin në arratinë e tij ka qëlluar me armën e tij të shërbimit në tokë dhe plumbi ka bërë rikoshet. Predha e tij përfundoi në shkallët e Infektivit, ndërsa gëzhoja e tij nuk është gjetur ende.

Nga hetimet e deritanishme rezulton se nuk janë respektuar protokollet e shoqërimit për numrin e efektivëve të policisë së burgjeve që duhet të shoqërojnë personat e paraburgosur apo të dënuar gjatë vizitave të tyre mjekësore.