Shkarkohet i gjithë zinxhiri komandues i Burgut të Durrësit, pas arratisjes gjatë ditës së djeshme të Altin Ndocit, i dyshuar si pjesë e një organizate të rëndësishme kriminale.
Mësohet se ky vendim erdhi pas një analize nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të këtij institucioni.
Më herët sot, Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, ka firmosur shkarkimin e drejtorit të IEVP Durrës, Indrit Cërloj, po për të njëjtën ngjarje. Gjithashtu 8 persona ranë në pranga, si persona përgjegjës për arratisjen e Ndocit.
Emrat e të gjithë të shkarkuarve:
* z. Indrit Cerloj – Drejtor i IEVP Durrës;
* z. Afrim Zeqiraj – Shef i Policisë;
* z. Dezdemon Pazaj – Shef i Policisë IEVP Durrës (i komanduar);
* znj. Ylfete Sema – Shefe e Shërbimit të Kujdesit Shëndetësor;
* z. Aulon Quku – Kryeinfermier;
* z. Dorjan Saraçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
* z. Sali Ferrollari – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
* z. Preng Marvataj – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
* z. Fatjon Braçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
* z. Idajet Calamaj – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
* z. Aranit Çela – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
* znj. Violeta Uka – Punonjëse e Policisë së Burgjeve.
Arratisja e Altinit Ndocit ka vënë në lëvizje strukturat e Policisë së Shtetit.
Gjatë mbrëmjes së kaluar dhe përgjatë ditës së sotme, forca të shumta policie kanë ushtruar kontrolle edhe në vendlindjen e tij, në fshatin Krajen të Lezhës.
Sipas burimeve, janë kontrolluar disa banesa të vjetra në lagjen Marlalaj, ku familjarët e tij kanë jetuar më parë. Mësohet se ata janë larguar nga kjo zonë prej rreth 30 vitesh dhe kanë pasur banim të mëvonshëm në Tiranë.
Kontrollet janë kryer në kuadër të operacionit për lokalizimin dhe kapjen e të arratisurit, ndërsa policia vijon hetimet dhe veprimet operative në disa zona të vendit.