Tech Top Tech - News

“I bën inventarin mendimeve të tua…”/Comet Browser me AI do t’ju habisë me risitë e tij!

Në çdo episod të “Top Tech” me Mateo Kadriun zbulojmë të rejat më të fundit nga bota e madhe e teknologjisë. Me informacione dhe gjithçka të detajuar rreth risive dhe mundësive që po na ofrohen çdo ditë sidomos nga Inteligjenca Artificiale me avancimin e projekteve nga më të ndryshme.

Comet, browser i ri me inteligjencë artificiale që sapo ka mbërritur në Android.

Ky browser është ndërtuar mbi logjikën: “po pse duhet të bëj gjithçka vetë, kur mund ta bëjë dikush tjetër për mua?” Dhe versioni mobil vjen pothuajse me të gjitha funksionet e atij në kompjuter. Mund ta vendosësh si motor kërkimi, mund t’i flasësh dhe madje mund t’i thuash të kontrollojë tab-et dhe të të japë një përmbledhje të gjithçkaje që ke hapur. Nëse je nga ata që mban hapur 27 tab-e, kjo është si të kesh dikë që i bën inventarin mendimeve të tua.

Ka edhe një ad blocker të integruar, që është diçka e rrallë për një browser të ri. Përveç kësaj, browser mund të kërkojë produkte, të krahasojë çmime dhe të tregojë në detaje çfarë po bën. Nuk është nga ata që punojnë fshehurazi dhe pastaj thonë “mos pyet”.

Dhe kjo është vetëm nisja. Në javët në vijim pritet të shtohen funksione për veprime të drejtpërdrejta në faqe, madje edhe një menaxher fjalëkalimesh plotësisht funksional. Kompania duket se po e ndërton shfletuesin si një mjet që nuk ka vetëm kërkim, por të gjithë ciklin e kërkimit, vendimmarrjes dhe veprimit.

Edhe pse disa kompani të tjera kanë browser AI, shumica janë ende fokusuar te kompjuterat. Ndaj prania në Android është një hap i madh, sidomos kur prodhuesit po kërkojnë ta përfshijnë në pajisjet e tyre. Megjithatë, mbetet një pyetje e hapur: a do të arrijë një browser inteligjent të konkurrojë seriozisht Chrome-in dhe Safari-n, apo do të mbetet një eksperimenti interesant? Të paktën tani ka hyrë në lojë.