Aktualitet

I dënuar për vrasje në Itali, kapet në Vlorë 45 vjeçari!

Policia e Vlorës vuri në pranga një 45 vjeçar të dënuar në Itali për vrasje. Renald Gjini u kap dje në lagjen “Rilindja”, me qëllim ekstradimin drejt vendit fqinj. Gjykata e Apelit në Bolonja i dha dënim me rreth 13 vjet burg.

Njoftimi zyrtar policor: 

Strukturat e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Seksionin Operacional në DVP Vlorë, në vijim të punës për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, bazuar në informacionet e siguruara si dhe në bashkëpunim me zyrat homologe të Interpolit, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Il Obiettivo”.

Si rezultat, ditën e djeshme, në lagjen “Rilindja”, u bë kapja dhe arrestimi provizor, me qëllim ekstradimi drejt Italisë, i shtetasit:

Renald Gjini, 45 vjeç, banues në Vlorë.

Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Apelit Bolonja, Itali, e ka dënuar këtë shtetas me 12 vjet e 10 muaj burg, për veprat penale “Vrasje” dhe “Mbajtja pa leje e armëve”, sipas legjislacionit penal italian.

Interpol Tirana dhe Interpol Roma janë në bashkëpunim të ngushtë për procedurat e mëtejshme të ekstradimit.