Aktualitet

I dënuar nga Gjykata e Milanos, arrestohet 54-vjeçari në Tiranë

Policia e Tiranës vuri në pranga një shtetas shqiptar të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, si pjesë e një grupi kriminal që merrej me trafikim lëndësh narkotike. Arrestimi u krye në kuadër të operacionit policor të koduar “The Wanted”, pas një pune të mirëkoordinuar me Interpol Tiranën dhe Interpol Romën.

Njoftimi i policisë:

Tiranë/Vijon operacioni policor i koduar “The Wanted”, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Kapet në bulevardin “Bajram Curri”, një shtetas i dënuar në Milano, për pjesëmarrje në organizatë kriminale për trafikim të lëndëve narkotike.

Si rezultat i një pune të mirorganizuar operacionale, të kryer në koordinim me homologët italianë, pas shkëmbimit të informacioneve nëpërmjet strukturave të Interpol Tiranës, me Interpol Romën, Seksioni i Kërkimit, gjatë kësaj faze të operacionit “The Wanted”, kapi dhe arrestoi me qëllim ekstradimin në Itali, shtetasin shqiptar, të shpallur në kërkim ndërkombëtar, B.B. alias B.I., 54 vjeç.

Gjykata e Milanos e ka dënuar 54-vjeçarin, me 7 vjet burgim, për veprën penale “Importimi dhe mbajtja e substancave narkotike”, kryer në kuadër të organizatës kriminale.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurën për ekstradimin e këtij shtetasi, në Itali.