Forcat Operacionale arrestuan Aldo alias Elidon Avdylajn, nipin e Astrit Avdylajt, në kërkim pas operacionit të SPAK-ut më 2 tetor, kur u godit grupi i Aleksandër Lahos (Rrumi i Shijakut) dhe ai i Astrit Avdylajt. Aldo Avdylaj akuzohet si organizator dhe bashkëdrejtues i grupit kriminal që ekzekutoi Edmir Bregun në vitin 2021, në Durrës. Mësohet se ai qëndronte i fshehur në një apartament pranë Kopshtit Zoologjik.
Ngjarja e rëndë u zbardh pas komunikimeve të zbërthyera në Sky ECC të grupit kriminal të Rrumit të Shijakut dhe Astrit Avdylajt. Sipas SPAK-ut, porositës i vrasjes së Bregut ishte Astrit Avdylaj, në shenjë hakmarrjeje ndaj tentativës për të vrarë Aldon. Si ekzekutorë vepruan Alfred Doka dhe Ermir Dedja. Doka është shpallur në kërkim, ndërsa Dedja, 29-vjeç, u ekzekutua më 20 maj të këtij viti në Durrës.
Më 2 tetor, SPAK-u kreu një operacion që çoi në shkatërrimin e këtyre dy grupeve kriminale në Gjirin e Lalzit, të përfshirë në vrasje e në tjetërsime pronash përmes falsifikimit të dokumenteve. Në kuadër të hetimit, janë sekuestruar 11 pasuri me sipërfaqe totale 254.300 m², në zonën bregdetare të fshatit Shetaj, Durrës.
Në pranga u vunë Vullnet Muça, vëllai i Aleksandër Lahos, Enea Kume, vëllai i deputetit Loer Kume, Vlash Brahja dhe Astrit Avdylaj alias Astrit Balliu, i cili ndodhet në burg në kuadër të operacionit “Revanshi”.
Akuzat e ngritura nga SPAK-u:
a. “Vrasje me paramendim”, kryer per hakmarrje, në dëm të shtetasit E.B alias I. K në datën 24.01.2021 në qytetin e Durresit, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit te strukturuar kriminal dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 78/2, 28/4 dhe 334 paragrafi i dytë të Kodit Penal.
b. “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit atë të grupit te strukturuar kriminal dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 278/1, 28/4 dhe 334 paragrafi i parë të Kodit Penal.
c. “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a/1 i Kodit Penal