Policia e Dibrës arrestoi në flagrancë një 32-vjeçar, i identifikuar si Sajmir Bitri, i cili akuzohet se vodhi çantën e një shtetasi me një shumë parash në euro. Por, jo vetëm kaq. Gjatë kontrollit në banesë, blutë gjetën një sasi lëndë narkotike të ndarë në doza, fara kanabisi, kubikë ku kishte kultivuar farat, si dhe municion luftarak.
Njoftimi policor:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër në bashkëpunim me Specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të DVP Dibër, pas marrjes së njoftimit se shtetasit M.B., i kishin vjedhur çantën brenda së cilës kishte një shumë parash (në euro dhe në lekë) organizuan punën për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Përsëritësi”, bazuar në inteligjencën policore dhe veprimet e shpejta hetimore, u bë i mundur identifikimi, lokalizimi, kapja dhe arrestimi i autorit të dyshuar të vjedhjes, shtetasi S.B., 32 vjeç, banues në fshatin Laças, Dibër, i dënuar më parë për vjedhje.
Gjatë kontrollit të banesës së 32-vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën e sekuestruan një sasi lënde narkotike kanabis, e ndarë në doza gati për shitje, 270 fara kanabisi, 6 kubikë në të cilat kishte kultivuar fara kanabis dhe municion luftarak.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Dibër, për veprime të mëtejshme.