Emri i ri për postin e Drejtorit Sportiv të Milanit mbetet ende mister, ndonëse gjithçka duket se po shkon drejt një emri konkret: Igli Tare.
Sipas asaj që raporton “La Gazzetta dello Sport”, pas një takimi të gjatë disa ditë më parë në Romë mes Tares dhe CEO-së së Milanit, Giorgio Furlani, kontaktet mes palëve janë intensifikuar dhe një takim i dytë shfaqet në horizont.
LEXO EDHE: Përfundon takimi mes Tares dhe Furlanit, ja kur zyrtarizohet shqiptari si drejtor sportiv i Milanit!
Megjithëse data e këtij takimi të ri ende nuk është bërë e ditur, sinjalet flasin për një zhvillim të afërt. Klubi kuqezi po analizon me kujdes çdo alternativë, por koha nuk është në anën e tyre: vera po afron dhe vendimet për ndërtimin e skuadrës së sezonit të ardhshëm duhet të merren shpejt. Objektivi i “Casa Milan” është që emërimi i drejtorit sportiv të ndodhë brenda gjysmës së parë të majit.
LEXO EDHE: Ikona Kostakurta “bekon” Taren te Milani: Igli është ideal për kuqezinjtë
Takimi i ardhshëm pritet të jetë vendimtar: ose do të mbyllet rruga me Taren, ose do të finalizohet një marrëveshje që do të hapë rrugën për fillimin zyrtar të punës dhe planifikimin e sezonit të ri.
Nëse Tare merr drejtimin sportiv, lëvizjet e para në merkato nuk do të vonojnë. Emri i parë që ka dalë në skenë është ai i sulmuesit gjerman Jonathan Burkardt nga Mainz.
Lojtari i lindur në vitin 2000 ka shkëlqyer këtë sezon me 16 gola dhe 3 asistime mes Bundesligës dhe Kupës së Gjermanisë, duke tërhequr vëmendjen edhe të kombëtares gjermane.