Ilir Meta kërkon revokimin e masës “Arrest me burg”. Avokati Genc Gjokutaj dorëzoi rekursin në Gjykatën e Lartë duke thënë se nuk ka prova për ta mbajtur në burg.
Ne kemi paraqitur të gjitha argumentet, që nga ndalimi kriminal që i është bërë, pastaj për secilin episod, procedim. Si për lobimin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, episod që Meta ka dhënë edhe shpjegime përpara SPAK-ut, sepse është pyetur specifikisht lidhur me të. Pra, tashmë është sqaruar procedimi mbi lobimin.
Kemi sqaruar deklarimin e pasurisë së Metës, i cili e ka bërë atë nominalisht si person dhe pastaj edhe CEZ-DIA, një çeshtje, e cila është bazuar mbi kallëzues të rremë, mbi dëshmitarë të rremë dhe mbi prova të marra në kundërshtim me ligjin.
Në këtë kuptim, duke qenë në këto kushte, duke mos pasur as dyshime të arsyeshme dhe as prova në lidhje me këto episode për zotin Meta, i jemi drejtuar Gjykatës së Lartë për revokimin e masës së arrestit me burg, të caktuar nga Shkalla e Parë e GJKKO-së, si dhe nga Apeli i Posaçëm.
I pyetur nga gazetarët, Gjokutaj u shpreh se në argumentin e parashtruar në Gjykatën e Lartë, theksojnë se duhet revokuar masa “Arrest me burg” pasi Ilir Meta është drejtues i Partisë së Lirisë dhe është prag fushate e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025.
Ish-presidenti Ilir Meta u arrestua më 21 tetor të vitit të kaluar, nën dyshimet për korrupsion, pastrim parash e fshehje pasurie. Edhe ndaj Monika Kryemadhit rëndojnë dyshimet për të njëjtat vepra penale. Çifti po divorcohet.
Në nëntor, Apeli i Posaçëm la në fuqi arrestin me burg për Metën e detyrimin për paraqitje ndaj Kryemadhit. Kreu i Partisë së Lirisë foli për proces të ndikuar politikisht ndërsa Kryemadhi akuzoi SPAK-un për “falsifikim provash”. Dy vila të Monika Kryemadhit e nënës së saj u vunë nën sekuestro.